Trump-Maduro: Telefonatë dështuar, kërkesa për dorëheqje

Gazeta amerikane zbardh prapaskenat: Telefonata e dështuar mes Trump dhe Maduro-s, SHBA kërkoi largimin e menjëhershëm të presidentit venezuelian.

Gazeta amerikane “Miami Herald” ka zbuluar detaje të një telefonate konfidenciale midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe homologut të tij venezuelian, Nicolás Maduro. Gjatë bisedës, Uashingtoni i kërkoi kreut të Caracas-it të largohej menjëherë nga vendi.

Sipas burimeve të gazetës, Trump i transmetoi Maduro-s mesazhin se ai mund të shpëtonte veten dhe njerëzit më të afërt vetëm nëse pranonte të largohej pa vonesë.

Biseda mes dy liderëve nuk pati sukses, pasi qëndrimet e tyre rezultuan shumë të largëta. SHBA kërkonte dorëheqjen e menjëhershme të Maduro-s dhe largimin e tij nga territori venezuelian me qëllim rivendosjen e qeverisjes demokratike. Në kundërpërgjigje, pala venezueliane propozoi një tranzicion ku opozita do të merrte kontrollin politik, ndërsa Maduro dhe aleatët e tij do të ruanin komandën mbi forcat e armatosura.

Burimet e cituara nga “Miami Herald” theksojnë se Uashingtoni i ofroi Maduro-s, bashkëshortes së tij Cilia Flores dhe djalit të tij garanci për kalim të sigurt, vetëm nëse ai pranonte të jepte dorëheqjen menjëherë.

Kjo ndodhi në një kohë kur SHBA-të kishin shpallur një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij, vlera më e lartë e ofruar ndonjëherë për një udhëheqës në detyrë, si dhe 25 milionë dollarë për figurën e rëndësishme të pushtetit, Diosdado Cabello.

Sipas një burimi të dytë, telefonata u konsiderua si një përpjekje e fundit për të shmangur një konflikt të drejtpërdrejtë, por dështoi sepse Maduro kërkoi amnisti të përgjithshme për të dhe ekipin e tij, si dhe kërkoi të ruante kontrollin e plotë mbi forcat e armatosura, duke iu referuar modelit të Nikaraguas të vitit 1991. Ndërkohë, SHBA këmbëngulte në dorëheqjen e tij të menjëhershme.

Këto dallime e bënë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje dhe biseda përfundoi pa rezultat.

Scroll to Top