Rindërtimi pas tërmetit, mijëra familje ende pa shtëpi

Jorida Tabaku: 6 vite pas tërmetit, mijëra familje ende pa banesë të përfunduar

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ditën e sotme lidhur me situatën ekonomike në vend, duke vënë theksin te rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Tabaku shprehet se “rindërtimi u kthye në një minierë floriri për qeverinë, ndërsa familjet e prekura u lanë peng i premtimeve të pambajtura”.

Reagimi i plotë i Jorida Tabakut:

Gjashtë vite më parë, vendi ynë u godit nga tragjedia e tërmetit që la pa strehë qindra familje dhe krijoi një traumë kolektive të pashlyeshme për të gjithë shqiptarët. Ajo që duhej të ishte një periudhë e përbashkët rimëkëmbjeje u kthye, për fat të keq, në një oportunitet abuzimi për qeverinë socialiste. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar u mobilizua me grante dhe kredi të buta, qeveria premtoi zgjidhje të shpejta dhe rindërtim brenda pak vitesh.

Sot, bilanci është tronditës: kosto të fryra mbi 1.3 miliardë euro dhe mijëra familje ende pa një banesë të përfunduar. Pse ndodhi kjo? Sepse qeveria zgjodhi të thyente rregullin bazë të financave publike: u hodh në tenderime pa fonde në buxhet, duke fshehur kostot reale dhe duke i rritur ato artificialisht ditë pas dite.

Rezultati ishte absurd:

  • Një shkollë e ndërtuar me fondet e BE ka kushtuar rreth 600 mijë euro.
  • Ndërsa e njëjta shkollë, e ndërtuar me buxhetin e shtetit, kushtonte 2.2 milionë euro sipas Bashkisë Tiranë.

Rindërtimi u kthye në një minierë floriri për qeverinë, ndërsa familjet e prekura u lanë peng i premtimeve të pambajtura. Për muaj me radhë, qeveria mohoi krizën në financat publike, derisa u detyrua të pranonte atë që shqiptarët e ndjenë në përditshmëri: 1.3 miliardë euro barrë në buxhet për ndërtime ende të papërfunduara.

Vitet kalojnë, kostoja rritet, dhe mijëra njerëz mbeten ende të pastrehë — ndërsa premtimi i rindërtimit vazhdon të përdoret si refren elektoral i dështimit. Përse qeveria preferoi të paguante me 1.3 miliardë euro taksat e shqiptarëve dhe jo me fondet e BE? Për një arsye të thjeshtë: fondet e BE janë më ekonomike, më transparente dhe nuk lejojnë abuzime. Qeveria zgjodhi eurobondet më të shtrenjta, duke i ngarkuar shqiptarët me interesa të larta dhe borxh afatgjatë.

Gjashtë vite pas tragjedisë, e vërteta është e hidhur: Shqiptarët janë edhe në borxh, edhe ende pa strehë. Tërmeti u kthye në një mundësi për të pasuruar pakicën në pushtet, ndërsa shumica e qytetarëve paguan faturën.

Scroll to Top