Presidenti Zelensky sanksionon ish-zëdhënësen e tij, Yuliia Mendel
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka miratuar një sërë vendimesh të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për vendosjen e sanksioneve të rrepta kundër rrjeteve ekonomike, logjistike dhe propagandistike që mbështesin agresionin rus. Mes personave të shpallur “non-grata” është edhe Yuliia Mendel, 40-vjeçare, ish-zëdhënëse zyrtare e vetë Zelensky-t gjatë viteve të para të presidencës së tij.
Mendel është përfshirë në një listë prej 10 shtetasish ukrainas dhe rusë, të akuzuar nga Kievi për përhapjen e dezinformimit, propagandës së Moskës dhe mbështetjen e hapur të politikave agresore ruse.
Përveç goditjes ndaj propagandës, paketa e re e masave ndëshkuese shënjestron 20 anije detare të përdorura nga Kremlini si pjesë e “flotës në hije” për eksportin e naftës, nënprodukteve të saj dhe gazit të lëngshëm, me synim financimin e makinerisë ushtarake.
Më tej, sanksionet godasin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak-industrial rus duke përfshirë 29 shtetas dhe 29 kompani të lidhura me korporatën shtetërore Rostec. Në këtë bllokim janë përfshirë furnizues të elektronikës me precizion të lartë për raketa dhe dronë, zhvillues të softuerëve të enkriptimit IT, si dhe institucione arsimore që trajnojnë personel për gjigantin e armatimit Kalashnikov.
Presidenca ukrainase njoftoi se të gjitha të dhënat do t’u përcillen menjëherë aleatëve ndërkombëtarë, me qëllim sinkronizimin e sanksioneve edhe në juridiksionet perëndimore.
