Pjesë e një rrjeti trafiku droge, Guardia di Financa arreston 22-vjeçarin shqiptar
Agjentët e Guardia di Finanza në San Benedetto të Italisë arrestuan një 22-vjeçar shqiptar, banor i Spinetolit, i dyshuar si pjesë e një rrjeti trafiku kokaine në zonë.
Gjatë një kontrolli rrugor, ai u gjet në posedim të lëndëve narkotike, të fshehura në një mbështjellës portokalli, karakteristik për një markë të njohur vezësh çokollate.
I përfaqësuar nga avokati Umberto Gramenzi, i arrestuari u paraqit dje në mëngjes para gjykatës së Ascolit për një gjykim të shkurtuar. Gjykatësi konfirmoi arrestimin, urdhëroi që ai të qëndronte në komunën e Spinetolit dhe e shtyu çështjen deri më 6 shkurt për procedura të mëtejshme.
Operacioni filloi në fundjavë. Një patrullë e Guardia di Finanza po kryente shërbim në zonën e Monsampolos, përgjatë rrugës Salaria. Oficerët ndaluan një automjet “Toyota Auris” të drejtuar nga një shtetas shqiptar. Ai tregoi shenja nervozizmi gjatë identifikimit. Kontrolli në bazën e të dhënave zbuloi se personi kishte dënime të mëparshme për trafik droge.
I pyetur nëse kishte drogë me vete, 22-vjeçari mohoi posedimin e saj. Megjithatë, policia financiare vuri re një pako portokalli në xhepin e derës së shoferit. Paketa përmbante 15 doza kokaine, me peshë rreth 8 gramë, sipas informacioneve nga mediat italiane.
Droga u sekuestrua, së bashku me dy telefona celularë dhe 300 euro, të cilat dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti i trafikut të drogës. I arrestuari u vendos në arrest shtëpiak, ndërsa hetimet për të zbuluar rrjetin e trafikut ku ai bënte pjesë vijojnë.
