Obeziteti: Barnat e reja të paarritshme për të varfërit

Rritja e rasteve të obezitetit: Barnat ekzistojnë, por janë të paarritshme për të varfërit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar përdorimin e barnave të reja për uljen e peshës për të frenuar rritjen e shpejtë të obezitetit. OBSH u ka bërë thirrje kompanive farmaceutike të ulin çmimet dhe të zgjerojnë prodhimin, në mënyrë që edhe vendet me të ardhura të ulëta të mund të përfitojnë.

Udhëzimi i ri i trajtimit i OBSH-së përfshin një rekomandim të kushtëzuar për përdorimin e barnave të njohura si GLP-1, si Wegovy, Ozempic dhe Mounjaro. Këto barna rekomandohen si pjesë e një qasjeje më të gjerë që përfshin ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik dhe mbështetje nga mjekët.

OBSH e ka përshkruar rekomandimin si “të kushtëzuar” për shkak të të dhënave të kufizuara mbi efikasitetin dhe sigurinë afatgjatë të GLP-1. Rekomandimi përjashton gratë shtatzëna.

Ndërsa GLP-1 janë tashmë një trajtim i konsoliduar në vendet me të ardhura të larta, OBSH paralajmëron se ato mund të arrijnë te më pak se 10 për qind e njerëzve që mund të përfitojnë deri në vitin 2030. Ndër vendet me normat më të larta të obezitetit janë ato në Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe ishujt e Paqësorit. Në fillim të këtij viti, Wegovy ishte i disponueshëm vetëm në rreth 15 vende.

OBSH kërkon që kompanitë farmaceutike të marrin në konsideratë çmimet e diferencuara (çmime më të ulëta në vendet me të ardhura të ulëta) dhe licencimin vullnetar të patentave dhe teknologjisë. Kjo do të mundësojë prodhues të tjerë në mbarë botën të prodhojnë GLP-1, duke zgjeruar kështu aksesin në këto barna.

Jeremy Farrar, drejtor i asistent në OBSH, theksoi për POLITICO se udhëzimet do të japin gjithashtu një “dritë të pastër dhe jeshile” për prodhuesit e barnave gjenerike, në mënyrë që të prodhojnë versione më të lira të GLP-1, pasi patentat të skadojnë.

Francesca Celletti, këshilltare e lartë për obezitetin në OBSH, theksoi nevojën për “veprim vendimtar” për të zgjeruar aksesin te GLP-1, duke përmendur si shembull barnat antiretrovirale të HIV-së në fillim të këtij shekulli. “Të gjithë menduam se ishte e pamundur… dhe pastaj çmimi ra,” tha ajo.

Patentat kryesore mbi semaglutide, përbërësi në barnat e Novo Nordisk për diabetin dhe uljen e peshës, Ozempic dhe Wegovy, do të skadojnë në disa vende vitin e ardhshëm, duke përfshirë Indinë, Brazilin dhe Kinën. Kompania farmaceutike indiane Dr. Reddy’s planifikon të lançojë një medikament gjenerik me bazë semaglutide për uljen e peshës në 87 vende në vitin 2026, sipas CEO-së së saj, Erez Israeli.

Israeli shtoi se SHBA-ja dhe Europa do të hapen më vonë, ndërsa të gjitha tregjet e tjera perëndimore do të hapen mes viteve 2029 deri 2033. Çmimet pritet të bien sapo gjenerikët të hyjnë në treg, por kjo nuk është e vetmja sfidë. Barnat që administrohen me injeksion, për shembull, kërkojnë ruajtje në zinxhir të ftohtë. Gjithashtu, sistemet shëndetësore duhet të jenë të pajisura për të shpërndarë barnat pasi ato të bëhen të përballueshme, tha Celletti.

Scroll to Top