Debati për listën e kompanive, çfarë detyrimesh do të falen
Nga bizneset në tatime dhe dogana, deri në vitin 2014 rezultojnë 100 milionë lekë, ose rreth 1 miliardë euro, detyrime të papaguara. Kjo shifër, e cila parashikohet të fshihet plotësisht me projektligjin e paketës fiskale, u bë publike nga ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore.
Projektligji, i titulluar “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, përveç fshirjes së plotë të detyrimeve të papaguara, parashikon edhe fshirje të pjesshme në rast se paguhet 50% ose 75% e principalit.
Megjithatë, projektligji ka ndezur debate te deputetët e opozitës dhe ekspertët, lidhur me bërjen publike të listës me emrat e përfituesve, të cilëve u falen automatikisht detyrimet e papaguara deri në vitin 2014. Ekspertët theksojnë se lista duhet të bëhet publike, pasi ka shumë biznese që përfitojnë nga kjo listë pasive, ndërkohë që ushtrojnë aktivitete të tjera. Për shembull, një person që ka pasur një fabrikë e cila ka falimentuar mund të ketë hapur një kompani ndërtimi dhe të gjenerojë të ardhura dhe fitime, duke mos pasur arsye të lehtësohet me fshirjen e detyrimeve.
Mungesa e transparencës së listës, sipas ekspertëve, dekurajon bizneset e rregullta.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar disa herë bërjen publike të listës me detyrimet e papaguara të bizneseve. Deputeti Enno Bozdo propozoi që në projektligj të shtohet publikimi i listës me 3,000 përfituesit, me vlera përfitimi mbi 5 milionë lekë.
“Ju falni 2 miliardë euro detyrime, një shumë e madhe për Shqipërinë. Mirë që i falni, por ne duhet të dimë se kujt i falen këto detyrime. Kush i përfiton, duhet të kuptojmë ku shkojnë këto para. Unë jam dakord që ju t’i falni lekët një oligarku. Asnjëherë. Nuk po kërkojmë të dhëna sensitive të tatimeve, por duhet të bëhet publike lista me faljet mbi 50 mijë euro detyrime të falura”, ka pohuar më herët deputeti Enno Bozdo në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.
Edhe deputeti i PS, Erjon Braçe, mbështeti propozimin për transparencën e listës.
“Ky është një favor përtej veprimtarisë fiskale normale, në përputhje me ligjet në vend, dhe duhet të bëhen publike emrat e përfituesve. Kur e pyetëm ministrin e Financave për këtë gjë, u shpreh se 90% e atyre që do t’u shuhet detyrimi janë kompani të mbyllura. Çfarë problemi ka në këtë rast?”, u shpreh Braçe.
Nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në komision u pohua se nuk mund të bëhen publike të dhëna sensitive.
Sipas të dhënave të bëra publike në relacionin e projektligjit:
- Administrata tatimore ka gjithsej 202,387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara në shumën 162,5 miliardë lekë, ose rreth 1,7 miliardë euro, deri më 31 dhjetor 2024.
- Principali zë 60% të borxhit, në shumën e 98,4 miliardë lekëve, ose rreth 1 miliardë euro.
- 35% të tij e zënë gjobat, në shumën e 581 milionë eurove, dhe 5% zënë interesat, në shumën e 79 milionë eurove.
- Deri në 31 dhjetor 2014, në tatime është krijuar borxh në shumën e 29,5 miliardë lekëve, ose rreth 304 milionë euro.
- Në totalin e borxhit deri më 31 dhjetor 2014, pa përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, llogaritet 25 miliardë lekë, ose rreth 260 milionë euro.
- Detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2024 në Dogana llogariten në vlerën e 48,5 miliardë lekëve, ose rreth 500 milionë euro, të pashlyera nga 4,684 debitorë.
- Principali zë 27% të borxhit, me vlerë 13,1 miliardë lekë.
- Pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga gjobat, me vlerë 26,5 miliardë lekë (55% të totalit), dhe kamatëvonesat, me vlerë 8,9 miliardë lekë (18% të totalit).
- Deri më 31 dhjetor 2014, borxhi i krijuar në Dogana është në shumën e 25,7 miliardë lekëve, ose rreth 266 milionë euro, detyrime të papaguara mbi 10 vite që do të fshihen.
Sipas llogaritjeve nga të dhënat publike, projektligji parashikon në total të fshijë plotësisht rreth 525 milionë euro detyrime të papaguara të bizneseve deri më 31 dhjetor 2014.
Nga 260 milionë euro që do të fshihen plotësisht në tatime:
- Borxhi më i madh është krijuar për TVSH të papaguar në vlerën e 11,6 miliardë lekë.
- Për tatim fitimin 6,2 miliardë lekë.
- Për taksa të tjera me vlerë 6,5 miliardë lekë.
- Dhe për TAP, shuma e papaguar rezulton 675 milionë lekë.
Në Dogana, për borxhin që kërkohet të fshihet, peshën më të madhe e zënë gjobat dhe interesat, me vlerë 200 milionë euro.
