“`html
Sekuestrimi i vilës së Ballukut në Palasë, SPAK jep detaje për një biznesmen të përfshirë
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar detaje të reja lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet kanë nxjerrë dyshime për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në qendër të hetimeve është një vilë në kompleksin “Green Coast”, në Palasë. Sipas prokurorisë, dyshohet se kjo pasuri është në pronësi faktike të Belinda Ballukut, por është mbajtur e fshehur përmes veprimeve dhe dokumenteve fiktive, duke u regjistruar në emër të Igli Tares.
Hetimi lidhet gjithashtu me procedurën e tenderit për projektin “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me një fond limit prej mbi 2.3 miliardë lekësh pa TVSH. SPAK pretendon se Belinda Balluku dyshohet se ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko Impex General Construction” të Arbër Abazit dhe “2T”. Në këmbim, sipas akuzës, ajo dyshohet se ka përfituar investime dhe punime nga kompania “Alko Impex” në vilën e sekuestruar në Palasë.
Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur më 9 shtator 2026 sekuestrimin preventiv të pasurisë, e cila ka një sipërfaqe totale prej 478 metrash katrorë.
Pjesë nga njoftimi i SPAK:
- “Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur.”
- “Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, në shumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.”
- “Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.”
- “Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.”
- “E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.”
- “Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.”
“`
