Sanksione të reja ndaj Rusisë: G7 dhe BE shqyrtojnë ndalimin e eksporteve të naftës

Reuters: G7 dhe BE shqyrtojnë ndalimin e plotë të eksporteve të naftës ruse

Shtetet e G7 dhe Bashkimi Europian po zhvillojnë diskutime për një ndalim të plotë të shërbimeve detare që lidhen me transportin e naftës ruse, si pjesë e përpjekjeve për të ulur të ardhurat që Moska përdor për të financuar luftën në Ukrainë. Lajmi raportohet nga Reuters, duke iu referuar gjashtë burimeve diplomatike dhe teknike.

Sipas të dhënave, mbi një e treta e eksporteve të naftës ruse dërgohet me anë të cisternave perëndimore – kryesisht drejt Indisë dhe Kinës – duke përdorur shërbime detare të vendeve të G7 dhe BE-së. Pjesa tjetër transportohet nga i ashtuquajturi “flota hije”, një rrjet me qindra anije që operojnë jashtë monitorimit perëndimor. Nëse G7 dhe BE vendosin ndalimin e ri, Rusia do të detyrohej të zgjerojë më tej këtë flotë joformale.

Masa e re pritet të përfshihet në paketën e sanksioneve të BE-së për vitin 2026

Tre nga gjashtë burimet e cituara thonë se ndalimi i shërbimeve detare mund të futet në paketën e ardhshme të sanksioneve të BE-së, e cila pritet të prezantohet në fillim të vitit 2026. Dy burime të tjera saktësojnë se BE-ja synon t’i koordinojë masat me G7 përpara se ato të formalizohen. Zyrtarë britanikë dhe amerikanë po e shtyjnë përpara opsionin e ndalimit në diskutimet teknike brenda G7, ndërsa çdo vendim përfundimtar nga SHBA do të varet nga qëndrimi i administratës së Presidentit Trump, në një kohë kur Uashingtoni po ndërmjetëson bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Nga çmim-tavan tek ndalim total

Që prej vitit 2022, G7 vendosi çmim-tavan për naftën ruse, duke lejuar vendet e treta të përdornin shërbime perëndimore vetëm nëse paguanin poshtë këtij limiti. Ndërkohë, G7 dhe BE pothuajse e kanë ndërprerë tërësisht importin e naftës ruse, por masa e re do të ishte hapi më i afërt drejt një bllokade totale – jo vetëm të importit, por edhe të shërbimeve detare dhe transportit. Për të anashkaluar çmim-tavanin, Rusia ka shtuar përdorimin e anijeve të veta, shpesh të vjetruara, pa sigurim perëndimor dhe me pronësi të paqartë.

Qëndrimet e SHBA-së

Administrata e ish-presidentit Joe Biden ka argumentuar se sa më shumë të shpenzojë Rusia për anije dhe logjistikë, aq më pak para i mbeten për luftën në Ukrainë. Por administrata Trump ka qenë më skeptike për çmim-tavanin, duke refuzuar të bashkohej me Britaninë, BE-në dhe Kanadanë në vendimin e shtatorit 2025 për ta ulur kufirin nga 60 dollarë në 47,6 dollarë për fuçi.

Scroll to Top