Përleshje vdekjeprurëse: Luftime të reja në zonën kufitare Pakistan-Afganistan
Përleshje të reja vdekjeprurëse kanë shpërthyer në zonën kufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit, ku të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të brishtë.
Banorët janë larguar gjatë natës nga qyteti afgan Spin Boldak, i cili ndodhet në kufirin 2.574 kilometra të gjatë mes dy vendeve. Ka raportime për persona të plagosur në anën e Pakistanit.
Luftime sporadike kanë shpërthyer vazhdimisht mes dy palëve në muajt e fundit. Qeveria talibane në Afganistan e ka akuzuar Pakistanin edhe për kryerjen e sulmeve ajrore brenda territorit afgan.
Të dyja palët kanë konfirmuar se kanë shkëmbyer zjarr, mirëpo e kanë fajësuar palën tjetër për nisjen e luftimeve që kanë zgjatur disa orë.
Mosharraf Zaidi, zëdhënës i kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, i ka akuzuar talibanët për “të shtëna të paprovokuara”. Nga ana tjetër, një zëdhënës taliban ka deklaruar se Pakistani “ka iniciuar sërish sulme” dhe se Afganistani është detyruar të përgjigjet.
Pamjet nga zona tregojnë një numër të madh afganësh që janë larguar në këmbë dhe me automjete drejt qytezave fqinje, për shkak të frikës nga rikthimi i konfliktit.
Përleshjet kanë shpërthyer më pak se dy muaj pasi të dyja palët ishin pajtuar për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia. Negociatat i kishin dhënë fund përleshjes më të rëndë mes Pakistanit dhe talibanëve që nga kthimi i grupit në pushtet në vitin 2021, megjithëse tensionet vazhdojnë të jenë të larta.
Qeveria në Islamabad ka akuzuar prej kohësh talibanët e Afganistanit se strehojnë grupe të armatosura që kryejnë sulme në Pakistan. Qeveria talibane hedh poshtë këto akuza dhe akuzon Pakistanin se fajëson të tjerët për “dështimet e veta në fushën e sigurisë”.
Javën e kaluar, të dyja palët u takuan në Arabinë Saudite për rundin e katërt të negociatave me synim arritjen e një marrëveshjeje paqeje afatgjatë, por nuk u arrit asnjë marrëveshje.
