Mbrojtja “Iriq” e Ukrainës kundër Dronëve

“Iriqët në mjegull”: Mbrojtja e re, e pazakontë e Ukrainës

Një tank i veshur me tela të ngjashëm me ata të një iriqi, siç shihet edhe në foton shoqëruese, është një nga pamjet më shpjeguese të mjeteve që ushtria ukrainase po përdor për t’i luftuar forcat pushtuese ruse që nga vjeshta e këtij viti.

Kjo mbrojtje e re raportohet të jetë krijuar duke prerë kabllot e çelikut në gjatësi të caktuara dhe duke i shpërlarë ato në fije të veçanta teli. Në fund, këto tela me gjemba fiksohen në tanke apo automjete të tjera ushtarake.

Të dyja palët në konfliktin në Ukrainë kanë tentuar t’i shmangin sulmet me dronë përmes kësaj mbrojtjeje, e njohur gjithashtu si “blindim në formë iriqi”.

Iryna Rybakova, zyrtare për media e Brigadës së 93-të të Mekanizuar të Ukrainës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo armaturë “e butë” është projektuar “për t’i ngatërruar dronët dhe për të mos i lënë të shpërthejnë, ose për t’i bërë ata të shpërthejnë në distancë”.

Shumica e dronëve kamikazë (FPV) janë të pajisur me një fitil që del nga koka e tyre dhe shpërthen në momentin e goditjes. Mbrojtja e re me maja mund ta ngatërrojë një dron të tillë para se fitili i tij të arrijë në një sipërfaqe të ngurtë.

Rybakova tregon se një “tank rus iriq”, i cili është parë afër Toretskut, në rajonin e Donjeckut, ka arritur t’i rezistojë dhjetëra goditjeve nga dronët ukrainas FPV, por më pas është shkatërruar përfundimisht. Sipas saj, ky lloj mbrojtjeje ofron më pak mbrojtje kundër dronëve kamikazë më të mëdhenj dhe më të shpejtë.

Në foton e mëposhtme shihen ushtarë rusë me një tank të pajisur me këtë lloj mbrojtjeje në formë iriqi në rajonin e Donjeckut, nëntor 2025.

Carlo Masala, profesor dhe ekspert ushtarak në Universitetin Bundeswehr në Mynih, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo mbrojtje e re kundër dronëve “duket të jetë një taktikë e re për t’i rikthyer manovrat në luftë”.

Me efektivitetin e dronëve të lirë FPV, të cilët janë në gjendje të shkatërrojnë tanke me vlerë deri në miliona dollarë, të dyja palët në konflikt janë përpjekur të kryejnë sulme ndaj pajisjeve të blinduara, të cilat dikur ishin në qendër të taktikave ushtarake.

Në muajt e fundit, sipas Masalas, janë parë “vetëm inkursione nga disa ushtarë pas vijave të armikut”. Lëvizjet e mëdha të trupave dhe automjeteve kanë qenë kryesisht të kufizuara në ditët me mjegull, kur dukshmëria e dobët zvogëlon kërcënimin e zbulimit.

Megjithatë, mbrojtja e re dhe e pazakontë besohet se vjen me kompromise të ndjeshme për ekipet e tankeve. Një shofer i një tanku rus ka dhënë së fundmi një intervistë për një media, ku ka treguar se ka tanke të pajisura me mbrojtje në formë iriqi. Sipas tij, si pasojë e peshës së shtuar, tanku “nuk ka arritur as 10 kilometra para se një nga [komponentët e sistemit të transmisionit] të dështonte”. Ai ka treguar se kjo mbrojtje e re me kaq shumë armaturë në formë iriqi do të thotë se “stresi në komponentët [e tankut] është i madh”.

Masala beson se të meta të tilla “duket se pranohen në mënyrë që të rikthehen manovrat në luftë”.

Zyrtarja ukrainase për media, Rybakova, ka treguar se ka qenë dëshmitare e një versioni të hershëm të blindazhit në formë iriqi kur një ekip ukrainas u ka lidhur disa kabllo plastike të projektuara për t’i kapur helikat e dronëve. Automjeti i rëndë është përdorur si karrem për të tërhequr vëmendjen prej trupave ukrainase që po tërhiqeshin nga pozicionet e tyre.

“Dronët e armikut fluturuan drejt tankut. Pati rreth pesë ose gjashtë goditje, të cilat ekuipazhi pothuajse nuk i ndjeu”, ka thënë Rybakova. “Por, pastaj armiku hodhi një minë antitank”, e cila, sipas saj, i vuri flakën motorit të automjetit. “Është për të ardhur keq për tankun, por njerëzit mbetën gjallë dhe detyra u krye”, ka thënë mes tjerash ajo.

Scroll to Top