Shqiptari sulmon me thikë ish-bashkëshorten në Greqi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 55-vjeçar shqiptar ka sulmuar me thikë ish-bashkëshorten e tij, një 50-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në mes të rrugës, ku gruaja ka marrë plagë të rënda në kokë dhe fytyrë.
Për të shpëtuar, e dëmtuara ka hyrë në një supermarket, ku ka marrë ndihmën e klientëve të rastit. Në pamjet e publikuara shihet gruaja duke u rrëzuar në tokë në përpjekje për t’u arratisur.
Një dëshmitar ka treguar për Tv Mega se sulmi kishte nisur që në banesën e gruas. “I treguan shtëpinë dhe ajo ishte e mbyllur brenda dhe që andej ai theu dritaret dhe hyri nga andej. Ai hyri nga dritarja e jashtme dhe gruaja që ishte e mbyllur, hapi derën dhe vrapoi pa këpucë në rrugë. Ajo erdhi për të gjetur shpëtim në dyqanin ushqimor që ishte më afër”, ka thënë ai.
Dëshmitari ka shtuar se autori është ish-bashkëshorti i gruas dhe se ky ishte kthimi i tij i parë në ishull. Ai kishte mbërritur me autobus dhe po kërkonte shtëpinë e ish-bashkëshortes duke pyetur njerëz në shqip, duke u prezantuar si vëllai i saj.
55-vjeçari është arrestuar nga policia. Përveç thikës, në posedim të tij janë gjetur edhe një bisturi dhe një kaçavidë.
