Shishe plastike në gomat e makinës: Taktika më e re e grabitësve dhe si të mbroheni
Një objekt i zakonshëm po kthehet në një mjet modern vjedhjeje, ku grabitësit shfrytëzojnë befasisitë e pronarëve të automjeteve. Vjedhjet e makinave evoluojnë vazhdimisht; bandat po braktisin teknikat e sofistikuara elektronike dhe po përdorin kurthe të thjeshta, të përditshme, të cilat mund të mashtrojnë edhe drejtuesit më të kujdesshëm.
Ndërsa shumë shoferë shqetësohen për dobësitë e sistemeve pa çelës (keyless), keqbërësit tregojnë se nganjëherë metoda më efektive është edhe më e thjeshta. Kohët e fundit, në disa vende të Evropës janë regjistruar raste ku hajdutët përdorin një objekt që shumica prej nesh e ka në shtëpi ose në makinë: një shishe plastike uji.
Thjeshtësia e saj është edhe arma kryesore e këtij truku, pasi shumica e drejtuesve nuk do t’i kushtonin vëmendje, e aq më pak ta konsideronin si diçka të dyshimtë. Sipas raportimeve, shishja e zakonshme plastike përdoret në një mënyrë të thjeshtë por shumë të zgjuar. Ajo vendoset mes njërit prej rrotave të pasme dhe harkut të gomës.
Kur drejtuesi i pavëmendshëm ndez makinën dhe lëviz disa metra, rrota shtyp shishen, duke krijuar një zhurmë të fortë. Shoferi, i alarmuar nga tingulli, del menjëherë të kontrollojë rrotën e pasme për të parë çfarë ka ndodhur. Në nxitim e sipër, ai zakonisht harron çelësat në kontakt. Pikërisht në atë moment, grabitësit që e vëzhgojnë nga afër futen në makinë dhe e marrin duke ikur para syve të tij.
Dhjetëra drejtues automjetesh në Evropë kanë rënë tashmë pre e këtij mashtrimi, ndaj policia ka ngritur alarmin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm.
Rekomandimi kryesor: Para se të hyni në makinë, kontrolloni vizualisht zonën përreth rrotave dhe pjesën e jashtme të automjetit. Nëse vini re një shishe të futur mes rrotës dhe harkut, njoftoni menjëherë policinë, pasi hajdutët ka shumë gjasa të jenë fshehur vetëm disa metra larg.
