Kosova/ Diaspora regjistron mbi 70 mijë votues për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka miratuar më shumë se 70 mijë aplikime nga diaspora për regjistrimin e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar këtë informacion për Radion Evropa e Lirë. Sipas të dhënave paraprake, gjatë periudhës 11-ditore, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor, platforma elektronike e KQZ-së ka pranuar mbi 84.700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës. Nga këto, rreth 71.900 janë miratuar, ndërsa janë refuzuar rreth 6.700. Aktualisht, rreth 5.900 aplikime janë ende në proces vlerësimi.
Elezi theksoi se shumica e votuesve, mbi 51.000, janë regjistruar për të votuar me postë, duke dërguar pakon me fletëvotim në adresat e kutive postare jashtë Kosovës. Rreth 2.500 të tjerë janë regjistruar për ta dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
“Rreth 18.000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike,” shtoi Elezi.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, KQZ kishte regjistruar afro 105 mijë qytetarë të diasporës për të votuar. Në ato zgjedhje, Kosova organizoi për herë të parë votimin fizik nëpër përfaqësi diplomatike, konkretisht në 16 ambasada dhe 14 konsullata në 19 vende të ndryshme.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi partitë politike të Kosovës nuk arritën të sillnin një konsensus për të ecur përpara pas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku asnjë parti nuk arriti të sigurojë numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 48 ulëse, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe me nëntë, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me tetë ulëse. Ulëset e tjera ishin të rezervuara për pakicat.
Disa parti në Kosovë kanë mbështetur caktimin e 28 dhjetorit si datë për zgjedhje, duke argumentuar se shumë shtetas të Kosovës nga diaspora kthehen në vendlindje gjatë periudhës së festave. Ndër këto parti ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave të diasporës më 9 shkurt.
Disa parti të tjera kanë ngritur shqetësime lidhur me problemet e mundshme në monitorimin e procesit më 28 dhjetor, pasi një pjesë e vëzhguesve ndërkombëtarë mund të mos jenë të angazhuar për shkak të periudhës së pushimeve në botë.
Megjithatë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arsyetuar vendimin e saj, duke theksuar se KQZ-së i është dashur kohë për t’u përgatitur, pasi vendi kishte organizuar dy procese të tjera zgjedhore në tetor dhe nëntor – dy raunde të zgjedhjeve lokale. / REL
