Shpërthim Kazermë Ushtarake Bolivi: 10+ Vdekur

Shpërthim në një kazermë ushtarake në Bolivi, të paktën 10 të vdekur

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në një kazermë ushtarake në komunën Viacha, rreth 30 kilometra nga La Paz, në Bolivi.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:30 me orën lokale, në një zonë ku ruheshin materiale piroteknike. Autoritetet bëjnë me dije se shpërthimi dyshohet të ketë nisur nga rezervat e fishekzjarrëve të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa shkaku i saktë ende nuk është përcaktuar.

Drejtuesja e shëndetësisë në Viacha, Rita Nebraska, tha për mediat lokale se numri i viktimave mund të jetë nga 10 deri në 15 persona, ndërsa 62 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mes të lënduarve është edhe një vajzë që ka pësuar djegie të shkallës së tretë.

Policia raportoi gjithashtu se mbi 50 persona janë plagosur dhe se dhjetëra banesa janë dëmtuar, kryesisht nga thyerja e xhamave si pasojë e fuqisë së shpërthimit.

Në vendngjarje janë dërguar ambulanca, ekipe mjekësore dhe forca policie për të vlerësuar dëmet dhe për të evakuuar të plagosurit drejt qendrave shëndetësore.

Zjarrfikësit kanë paralajmëruar se në zonë vijon të ketë një burim nxehtësie, duke rritur rrezikun e një tjetër shpërthimi. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë të paktën 150 metra larg kompleksit ushtarak.

Scroll to Top