Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Apeli liron nga qelia rojën e sigurisë
Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur të zbusë masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi” për Banush Koxhaj, i cili shërbente si punonjës sigurie pranë kësaj gjykate ditën kur u ekzekutua me armë në sallën e gjyqit gjyqtari Astrit Kalaja.
Gazetari Elton Qyno mëson se shkak për zbutjen e masës së sigurisë ka qenë gjendja e rënduar shëndetësore e Banush Koxhaj, i cili prej disa kohësh vuan nga sëmundja e diabetit.
Koxhaj ishte punonjësi i sigurisë në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe menjëherë pasi u vra gjyqtari Kalaja, ai u arrestua nga policia e Tiranës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk kishte ushtruar kontroll fizik ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilët hynë të armatosur në sallën e gjyqit.
Pavarësisht se detektori i skanerit të gjykatës sinjalizoi për praninë e sendeve metalike, punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj, megjithëse ndodhej aty, nuk ka ushtruar kontroll fizik ndaj dy personave, por ka vijuar të qëndrojë i ulur në karrike. Kjo solli që Elvis Shkambi të kalojë perimetrin e sigurisë dhe të hyjë i armatosur në sallën e gjyqit.
Sapo gjyqtari Astrit Kalaja ka dhënë vendimin, Elvis Shkambi ka qëlluar drejt tij me një pistoletë prodhim gjerman, “Welt Waffen Browning”, duke e lënë të vdekur në vend.
Me të njëjtën armë, Elvis Shkambi ka qëlluar dhe babë e bir, Ragip Kurtaj dhe Elvis Kurtaj, që shoqëronte babain atë ditë në gjyq. Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se një plumb i vetëm ka plagosur babain dhe djalin.
Ndërkohë, dy personat e tjerë të shoqëruar për këtë ngjarje të paprecedentë në Gjykatën e Apelit Tiranë, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi, vijojnë të qëndrojnë në burg pasi akuzohen për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj gjyqtarit” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”.
