KPP heq pezullimin për tenderin e fiskalizimit prej 7.7 milionë eurosh

Pas pothuajse 6 muajsh, KPP heq pezullimin për tenderin 7.7 milionë euro të mirëmbajtjes së fiskalizimit

Pas pothuajse 6 muajsh nga pezullimi i tenderit që lidhej me mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, me një fond limit prej 7.7 milionë eurosh, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka vendosur të lejojë Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të vijojë me procedurat e tenderit, të cilat po zhvillohen për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Tenderi, i hapur në prill të këtij viti, u ankimua vetëm dy javë më vonë, ku operatorët kërkuan rishikimin e dokumenteve. Më datë 1 korrik të këtij viti, KPP vendosi që AKSHI dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të merrnin masa lidhur me rekomandimet e KPP-së, dhe se deri në zbatimin e tyre, tenderi do të qëndronte pezulluar.

Më datë 4 dhjetor, KPP ka vendosur të miratojë vijimin e procedurës me objekt “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, me fond limit 770.8 milionë lekë. AKSHI dhe Tatimet kanë njoftuar KPP se kanë bërë ndryshimet e kërkuara, me një shkresë të protokolluar më 20 nëntor.

Tenderi dhe qëllimi i tij

Sipas dokumenteve shoqëruese të procedurës, qëllimi kryesor i këtij projekti është mirëmbajtja e sistemit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit (sistemi i fiskalizimit) për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një periudhë prej 24 muajsh.

“Qëllimi është garantimi i funksionimit të plotë të sistemit elektronik, në të gjithë komponentët e tij: softuer dhe pajisje fizike (hardware). Ky sistem është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe ofron shërbime për rreth 125 mijë tatimpagues, si dhe për vetë administratën tatimore,” thuhet në dokumente.

Dokumentacioni thekson rëndësinë e disponueshmërisë së sistemit të fiskalizimit. Shërbimi i fiskalizimit dhe portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk duhet të kenë ndërprerje më të gjata se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për përditësime (upgrade, update) apo modifikime të tjera.

“Shërbimet e ofruara për tatimpaguesit (fiskalizimi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i tyre, etj.), si dhe për administratën tatimore, duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë,” theksohet më tej.

Aktualisht, ky sistem përdoret nga bizneset dhe qytetarët, ndërsa në përdorim të brendshëm është i aksesueshëm nga administrata tatimore dhe institucione të tjera publike të autorizuara.

Dokumentet e tenderit përshkruajnë kërkesat dhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë:

  • Monitorimin e rregullt të roleve dhe aktiviteteve të përdoruesve të sistemit dhe përpilimin e raporteve përkatëse.
  • Vlerësimin e raporteve të monitorimit dhe përpilimin e sugjerimeve për përmirësimin e infrastrukturës.
  • Izolimin dhe diagnostikimin e çdo problemi që ndikon sistemin, analizimin e shpeshtësisë së defekteve (bug-eve) dhe ofrimin e zgjidhjeve të detajuara.
  • Garantimin e suportit në rast se ndonjë faktor i brendshëm apo i jashtëm ndikon në funksionimin e sistemit.
  • Riparimin e defekteve, kontrollin e funksionaliteteve, si dhe analizën e log-eve të sistemit. Ndërhyrjet duhet të kryhen vetëm pas miratimit të një plani të detajuar dhe brenda kohës së përcaktuar.
  • Ofrimin e suportit të vazhdueshëm dhe gatishmërisë 24/7 për Modulin e Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit.
  • Zëvendësimin e pajisjeve hardware që dalin jashtë funksioni, në rast se nuk janë të riparueshme.
  • Kryerjen e testimit për rikuperimin e të dhënave (“restore full backup”) çdo muaj (nga data 1 deri më 10), duke përdorur kopjen rezervë të fundit të muajit pararendës. Rezultatet e testit duhet të dokumentohen në një raport të veçantë.
Scroll to Top