Arratisja e Taulant Tomës nga Burgu në Milano: Një Operacion si në Film
Mediat italiane kanë zbuluar detaje të hollësishme rreth arratisjes së 41-vjeçarit Taulant Toma nga qelia e tij në burgun e sigurisë maksimale në Opera, pranë Milanos.
Kur oficerët hynë në qelinë e tij të mërkurën, ata gjetën një shufër të prerë dhe çarçafë të lidhur me mjeshtëri, të cilët Toma i kishte përdorur për t’u zbritur në oborr. Duket se arratisja ishte planifikuar me kujdes. Ai kishte grumbulluar çarçafë të mjaftueshëm për t’u zbritur nga kati i tretë, një lartësi prej mbi 10 metrash.
Përveç çarçafëve, Toma kishte përdorur edhe një kombinim të shkopinjve të fshesave të lidhur me shirit dhe një grep hekuri si “shkallë” për të kaluar murin e burgut.
Bashkëqytetari i tij, i cili fillimisht duhej të merrte pjesë në arratisje, në fund hoqi dorë nga plani.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar 41-vjeçarin duke u larguar në këmbë. Ngjarja ndodhi rreth orës 6:30 të mëngjesit dhe mesa duket, alarmi nuk ra. Oficerët e burgut nuk vunë re asgjë, duke i dhënë Taulantit një avantazh prej të paktën një ore.
