Air Albania në tokë, por vazhdon të shesë bileta
Air Albania, operatori ajror kombëtar, po përballet me probleme serioze ditët e fundit. Sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (Tirana International Airport – TIA), Air Albania nuk ka kryer asnjë fluturim gjatë ditës së sotme, 8 dhjetor. Situata duket të vazhdojë edhe për datën 9 dhjetor, pasi në faqen e TIA nuk figuron asnjë fluturim i planifikuar me këtë kompani.
Agjencitë e udhëtimit kanë konfirmuar për “Monitor” se operatori ajror nuk ka kryer fluturime duke filluar nga e shtuna. Pasagjerët me udhëtime ndërkontinentale, të cilët normalisht do të kalonin tranzit përmes Stambollit, janë drejtuar alternativisht përmes Aeroportit të Prishtinës ose atij të Podgoricës.
Pavarësisht mungesës së fluturimeve të programuara në faqen e TIA për datën 9 dhjetor, agjencitë informojnë se në sistemet e tyre, fluturimet vazhdojnë të jenë aktive. Madje, edhe në faqen zyrtare të Air Albania është ende e mundur blerja e biletave drejt Stambollit që nga e marta në mbrëmje.
Kompania, e cila kohët e fundit operonte kryesisht me linjat drejt Stambollit dhe Milanos, tashmë nuk ka më asnjë fluturim drejt Milanos. Stambolli mbetet i vetmi destinacion ku Air Albania vijon të shesë bileta.
Agjencitë e udhëtimit kanë bërë të ditur se kompania ka njoftuar rifillimin e fluturimeve për të martën, ndërkohë që udhëtimet rezultojnë aktive në sistem. Këto probleme për kompaninë kanë filluar pas njoftimit të Turkish Airlines për shitjen e të gjithë pjesës së saj prej 49% në Air Albania.
Deri të shtunën, agjencitë mund të prenotonin bileta tranziti përmes Turkish Airlines. Megjithatë, pas ndalimit të fluturimeve të Air Albania në atë ditë, agjencitë nuk mund të bënin më prenotime tranziti me Turkish Airlines. Bileta nga Tirana në Stamboll duhet të merreshin drejtpërdrejt nga Air Albania.
Njoftimi i Turkish Airlines
Në mes të muajit nëntor, Turkish Airlines bëri të ditur përmes një njoftimi në Platformën Turke të Transparencës Publike (KAP): “Bordi ynë ka vendosur të shesë të gjithë pjesëmarrjen në Air Albania SHPK, në të cilën kompania jonë zotëron 49%. Zhvillime të rëndësishme do të ndajmë së shpejti me investitorët.”
Historiku i Air Albania
Air Albania u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018, si një partneritet publik-privat mes Shqipërisë dhe Turqisë. Aksioneri kryesor ishte Turkish Airlines me 49.12%, ndërsa aksionet e mbetura ndaheshin mes Albcontrol (rreth 10%) dhe kompanisë private shqiptare MDN Investment (rreth 41%). Fluturimi i parë i rregullt u krye më 14 shtator 2018, në linjën Tiranë–Stamboll.
Në vitin 2023, Air Albania ishte operatori i dytë më i madh në vend, duke zotëruar 7% të tregut. Megjithatë, në vitin 2024, pozicioni i saj ra në vend të tretë, me një peshë prej 3.4% të numrit të pasagjerëve. Konkurrenca nga kompanitë “Wizz Air” dhe “Ryanair” ka ndikuar në aktivitetin e Air Albania në destinacionet, përveç Stambollit.
Kompania nuk ka dorëzuar kurrë bilanc financiar. Të dhënat nga Tatimet tregojnë një qarkullim vjetor prej rreth 3.8 miliardë lekësh në vitin 2021, 5 miliardë lekësh në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekësh në vitin 2023. Për vitin 2024, të ardhurat vlerësohen të jenë rreth 4 miliardë lekë, bazuar në të dhëna indirekte nga Tatimet. Kompania ka rezultuar historikisht me humbje të larta, duke e sjellë atë sot në një situatë praktikisht të falimentuar.
