Hill: Si i njoha Ramiz Alinë, Nanon, Berishën; Tranzicioni Shqiptar

Ish-ambasadori i parë i SHBA në Tiranë, Christopher Hill: Si i njoha Ramiz Alinë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën

Christopher Hill, ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri në vitin 1991, kur u rihap selia diplomatike në Tiranë, është një dëshmitar i drejtpërdrejtë i tranzicionit të vendit nga komunizmi drejt demokracisë. Me një karrierë të gjatë diplomatike në Ballkan, Hill ndan për “Exclusive” në Top Channel kujtimet e tij rreth takimeve me liderët kryesorë shqiptarë të asaj kohe.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Kristi Gongos, Hill hedh poshtë narrativën se arrestimi i Fatos Nanos një vit pas zgjedhjeve të vitit 1992 u bë me lejen e SHBA-së. “Jo, aspak. Mund të them me siguri sepse isha këtu deri në verën e vitit 1993, dhe ju tregoj personalisht se kjo është 100% gënjeshtër,” deklaron ai. Ambasadori thekson se si diplomat amerikan nuk ka autorizuar kurrë një arrestim dhe dyshon që SHBA të ketë pasur ndonjë rol në këtë ngjarje, duke e cilësuar atë më shumë si një “legjendë” apo deklaratë anti-amerikane.

Lidhur me praninë e Sali Berishës në politikën shqiptare edhe pas 35 vitesh, Hill e cilëson si “jashtëzakonshme”, por thekson se qëndron larg politikës së brendshme shqiptare. “Unë nuk jam dikush që mendon se duhet të jem aktiv duke u thënë njerëzve kë të vazhdojnë të mbështesin dhe kë të mos mbështesin. Nuk është puna ime,” shprehet ai.

Për sa i përket sanksioneve të shpallura ndaj figurave politike shqiptare, Hill tregon se punonte në Universitetin e Denverit dhe më pas në Columbia, dhe se ka mendime personale për dobishmërinë e tyre. Megjithatë, ai preferon dialogun për zgjidhjen e problemeve dhe konsideron se një ish-diplomat amerikan nuk duhet të komentojë shumë mbi këto çështje, pasi nuk ndihmon askënd.

Kontaktet e para në Shqipëri dhe përshtypjet për liderët

Kontaktet e para të Hill në Shqipëri ishin me zyrtarë të qeverisë, ndër të cilët përmend Gramoz Pashkon, i cili e ftoi në shtëpi dhe diskutuan për muzikë perëndimore. Ai u prezantua gjithashtu me personalitete të tjerë si Genc Ruli, atëherë ministër i Financave. Pas pritjes madhështore që Sekretari i Shtetit James Baker mori në Sheshin Skënderbej, amerikanët u përfshinë më tej në ndërtimin e marrëdhënieve.

Lidhur me Ramiz Alinë, Sali Berishën dhe Fatos Nanon, Hill i përshkruan si njerëz me të cilët kishte të bënte. Ai i cilëson ata si “të mirë”, duke theksuar se Ramiz Alia ishte shumë i mirë, Berisha “shumë pozitiv ndaj amerikanëve” dhe se kishte qartësi që do të luante një rol të madh. Fatos Nano, sipas Hill, ishte interesant sepse vinte nga sistemi i vjetër i Partisë së Punës, por përpiqej të ishte edhe në sistemin e ri, duke pasur “një këmbë në të dy sistemet”. Hill thekson se si diplomat amerikan përpiqej t’i njihte njerëzit dhe të bënte gjërat të ndodhin, pa u shprehur për preferenca të qarta se kush ishte “i mirë” apo “i keq”.

Preferencat politike dhe roli i Amerikës

Ambasadori thekson se për të, si diplomat, ishte e vështirë dhe e pamundur të zgjidhte qeverinë e një vendi tjetër, duke qëndruar larg këtij procesi gjatë gjithë karrierës së tij. Megjithatë, ata mbështetën fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992, pasi socialistët nuk ishin ndarë ende plotësisht nga Partia e Punës. Përpjekjet e tyre u përqendruan te partitë e reja, përfshirë PD-në, por ata u përpoqën të shmikonin të dukeshin si ndërhyrje në punët e brendshme, duke qenë se socialistët i akuzonin shpesh për këtë. Hill dëshironte të shihte Shqipërinë të bashkohej me vendet demokratike.

Duke folur për rrëzimin e regjimit komunist, Hill mendon se populli shqiptar luajti rolin kryesor. Megjithatë, hapja e ambasadës amerikane dhe prania e diplomatëve amerikanë ndihmuan shqiptarët të kuptonin më mirë se po shkëputeshin nga një sistem dhe po hynin në një tjetër. Ai hedh poshtë idenë se lëvizja studentore e Dhjetorit ’90 ishte e nxitur nga Perëndimi, duke e cilësuar si “autentike” dhe të nxitur nga studentët që dëshironin një jetë më të mirë.

Sa i përket ndikimit amerikan në fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit 1992, Hill thotë se nuk luajtën një rol të madh. Ai përmend disa OJQ amerikane, si Instituti Kombëtar Demokratik dhe Instituti Republikan, që ofruan ndihmë, duke përfshirë automjete për partitë politike, të cilat kryesisht shkuan te Partia Demokratike. Megjithatë, ai thekson se këto ishin gjëra që bëheshin për popullin shqiptar, duke u siguruar atyre praninë e qëndrueshme të SHBA-së, ofrimin e ndihmës për njerëzit e përjashtuar nga sistemi komunist, mbështetjen për arsimin dhe trajnimin përmes USAID, si dhe kontaktin me qeverinë për t’u shpjeguar perspektivën amerikane.

Scroll to Top