Kandidati i parë për kreun e SPAK, Adnan Xholi fillon dëshminë, zbulon prioritetet
Sot, më 11 dhjetor, do të zgjidhet kreu i ri i SPAK. Kandidati për drejtues të SPAK, Adnan Xholi, ka prezantuar platformën dhe strategjitë e tij për drejtimin e këtij institucioni para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe përfaqësuesve nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Xholi theksoi se fokusi kryesor do të jetë te hetimet cilësore dhe të shpejta, si dhe te çrrënjosja e kulturës së pandëshkueshmërisë.
“Krahas sukseseve që kjo strukturë ka arritur, ka ardhur koha të vijojmë me hetime të mëtejshme, cilësore dhe të shpejta për të goditur kriminalitetin, si me hetimet penale, ashtu edhe me hetimet pasurore, me qëllim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë”, tha Xholi.
Ai foli gjithashtu për rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së SPAK dhe mbrojtjen e prokurorëve nga sulmet e padrejta që u bëhen për shkak të detyrës.
“SPAK ndodhet në një fazë të rëndësishme konsolidimi. Implementimi i strategjive të institucionit lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e misionit: lufta pa kompromis kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. Po aq e rëndësishme është mbrojtja dhe integriteti i pavarësisë së SPAK, mbrojtja e magjistratëve dhe prokurorëve që u bëhen për shkak të detyrës”, u shpreh kandidati për drejtues të SPAK.
Adnan Xholi shtoi:
- “Nga ana formale, besoj se plotësoj të gjitha kriteret që parashikon rregullorja. Besoj se kam aftësitë e duhura për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme për reformën në drejtësi.”
- “Në vitin 2021 jam emëruar prokuror i Prokurorisë së Posaçme.”
- “Nga viti 2013 e në vijim, jam angazhuar si pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës.”
- “Kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit dhe gjej rastin të shpreh mbështetjen maksimale. Jam krenar që punoj me ta dhe do i mbështes në çdo situatë të aktivitetit të institucionit, pavarësisht votimit të sotëm.”
