Gazetari i kërcënuar për denoncime për Spitalin Onkologjik

Gazetari Osman Stafa kërcënohet me jetë për shkak të denoncimeve lidhur me Spitalin Onkologjik

Pas një sërë denoncimesh për mungesën e ilaçeve, pajisjeve dhe abuzimeve me pacientët në Spitalin Onkologjik, gazetari i News24, Osman Stafa, është marrë në shënjestër të një mesazhi kërcënues.

Kërcënimi, i dërguar nga një adresë anonime në rrjetet sociale, përdorte gjuhë fyese dhe kërkonte nga gazetari që të mos shfaqej më në ambientet e Spitalit Onkologjik dhe të ndalonte raportimet mbi korrupsionin në këtë institucion.

Menjëherë pas marrjes së mesazhit, Stafa ka depozituar një kallëzim penal në Policinë e Shtetit, duke e cilësuar rastin si “kërcënim për shkak të detyrës”. Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar personin që fshihet pas adresës anonime dhe motivet e tij.

Pavarësisht presioneve, gazetari Osman Stafa ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga hetimet për gjendjen alarmante në Spitalin Onkologjik. Ai thekson se çdo kërcënim vetëm sa e forcon vendosmërinë e tij për të nxjerrë në dritë abuzimet që prekin pacientët me sëmundje tumorale.

Prej vitesh, Stafa ka raportuar në mënyrë të vazhdueshme problemet thelbësore të sistemit onkologjik, duke përfshirë:

  • Mungesën e brakiterapisë, një shërbim jetik për pacientët me tumore gjinekologjike.
  • Mungesën e PET-scanit, të domosdoshëm për diagnostikimin e saktë.
  • Mungesat e përsëritura të ilaçeve të kimioterapisë.
  • Raste të rënda abuzimi dhe korrupsioni nga personeli mjekësor, përfshirë trafikimin e biopsive drejt laboratorëve privatë.
Scroll to Top