Protestat masive në Bullgari, Parlamenti voton pro dorëheqjes së qeverisë së Zhelyazkovit
Parlamenti i Bullgarisë miratoi sot me 227 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim, dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Rosen Zhelyazkov.
Kryeministri Zhelyazkov njoftoi dorëheqjen e tij dje, gjatë një konference urgjente për shtyp në Asamblenë Kombëtare, vetëm pak minuta para se deputetët të votonin për një mocion mosbesimi kundër kabinetit, të paraqitur nga partitë “Vazhdo Ndryshimin” dhe “Bullgaria Demokratike”.
Që nga 1 dhjetori, vendi është përfshirë nga protesta masive antiqeveritare. Këto protesta u nxitën fillimisht nga planet kontroverse të buxhetit të kabinetit, por më pas u përshkallëzuan në pakënaqësi të përgjithshme kundër qeverisë, lidhur me korrupsionin, padrejtësinë dhe dështimet në shumë sektorë shtetërorë.
“Koalicioni qeverisës diskutoi situatën,” tha Zhelyazkov. “Nuk kemi dyshim se në votimin e ardhshëm të mosbesimit qeveria do të merrte mbështetje. Megjithatë, rezoluta e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi kur pasqyron vullnetin e popullit,” theksoi kryeministri. “Dëshira jonë është të jemi në nivelin që pret shoqëria. Burimi i pushtetit është sovrani dhe zëri i popullit,” shtoi ai.
Zhelyazkov u zgjodh kryeministër më 16 janar 2025 me 125 vota pro, 114 kundër dhe asnjë abstenim.
