Dumani: Prokurorë dhe gjyqtarë të përfshirë në krim
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë këtij takimi, zoti Dumani foli për korrupsionin në institucionet shqiptare, duke e cilësuar atë si një plagë që prek të gjitha nivelet, duke filluar nga vetë prokuroria.
Ai deklaroi se gjatë kësaj periudhe, Prokuroria e Posaçme ka hetuar mbi 70 policë për korrupsion dhe vepra të tjera penale. Zoti Dumani theksoi se janë konstatuar zyrtarë të lartë policie, të cilët janë shpallur fajtorë si pjesë e organizatave apo grupeve të strukturuara kriminale.
“Korrupsioni është një plagë që prek të gjitha institucionet. Do ta filloja nga Prokuroria. Fatkeqësisht, na është dashur t’i vëmë para përgjegjësisë edhe kolegët tanë, madje mund të kemi pasur edhe marrëdhënie shoqërore. Por kemi zbatuar detyrën. Për të ardhur edhe te policia. Në kaq vite SPAK, numri i policëve të hetuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale është mbi 70. Në këto vite, numri i policëve të hetuar për korrupsion apo vepra të tjera penale është mbi 70. Fatkeqësisht, në hetimet tona kemi konstatuar funksionarë të lartë policie, që madje janë deklaruar edhe fajtorë, si pjesë të organizatave kriminale apo grupeve të strukturuara kriminale,” deklaroi Dumani.
Ai shtoi se përfshirje në vepra penale nuk ka qenë vetëm nga radhët e policisë, por edhe nga sistemi gjyqësor. “Nuk janë vetëm nga policia, por edhe nga gjyqësori. Ne kemi një çështje kur një gjyqtari i është atribuuar edhe vepra penale si pjesëmarrje në organizatë kriminale.”
Megjithatë, zoti Dumani vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në masën dërrmuese: “Por Policia e Shtetit, pavarësisht kësaj pjese e cila na ka rezultuar e implikuar në vepra penale, policia në masën absolute janë djem edhe vajza që janë të përkushtuar në punën e tyre dhe meritojnë respekt,” përfundoi ai.
