Berisha: Gjyqtari Kushtetues i shantazhuar me video

Berisha: Personeli i Gjykatës Kushtetuese u shantazhua me video

Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë një konference për shtyp, duke komentuar situatën e Gjykatës Kushtetuese pas ankimimit të Ramës për të mbrojtur Ballukun, deklaroi se “personeli i asaj gjykate është shantazhuar me video të ndaluara për përdorim”.

Berisha u shpreh: “Dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe si një akt të mirëfilltë antikushtetues, ndërhyrjet brutale të Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese për mbrojtjen, në dukje, të Ballukut. Në fakt, ai mbron veten e tij.”

“Tani, më duhet t’u rikujtoj shqiptarëve, por edhe atyre ndërkombëtarëve, të cilët janë të interesuar për të vërtetat në këtë vend. Në janar të vitit 2011, pas një videoje të manipuluar nga Edi Rama dhe Filip Çakulli, në të cilën në mënyrë false akuzonin Ilir Metën për një ryshfet prej 700 mijë eurosh, të cilin nuk e kishte marrë kurrë, Ilir Meta, pa ardhur kërkesa nga prokuroria për hetim mbi imunitetin, ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ka hequr dorë nga imuniteti. Në atë kohë, prokurore ishte Ina Rama. Në rastin tjetër, para Ilir Metës, Fatmir Mediu ka dhënë dorëheqjen dhe ka hequr dorë nga imuniteti. Lulzim Basha ka dorëzuar imunitetin.”

“Ndërsa Lubi Balluku as nuk jep dorëheqjen, as nuk shkarkohet, siç shkarkova unë Ilir Rusmalin. Po, absolutisht, me dokumente. Tjetër punë se në një akt njerëzie, u njoftua si dorëheqje. Jo, nuk ishte dorëheqje, sepse i vëllai i tij, të cilin unë e njihja, ishte kryetar i dhomës së eksporteve dhe kishte bërë presion ndaj drejtorit të përgjithshëm të burgjeve për një tender, duke e kërcënuar. Ai e kishte regjistruar. Drejtori ishte një njeri i ndershëm. Dhe ministri, në vend që të dënonte vëllanë e tij që i kishte përmendur emrin, shkarkoi drejtorin që e kishte regjistruar. Dhe unë shkarkova ministrin. Ky është standardi normal.”

“Por këto nuk duhet t’i mohojë se nuk shërbejnë, se duke mohuar këto, ja ku arritëm, kemi një kryeministër që bën avokatinë e ministrit të tij. Gjykata Kushtetuese është në ditën më të vështirë për shkak të presioneve dhe kërcënimeve të shumanshme. Deklaroj këtu gjithashtu se sipas disa të dhënave, për personelin e asaj gjykate janë përdorur për komprometim edhe video absolutisht të ndaluara për përdorim, për t’u imponuar dorëheqje, për t’u imponuar largim.”

“Se tani, me këto regjistrime që bën Skapi, mund të ndodhë çdo gjë aty. Por kjo që u them është e sigurt. A e ka bërë Skapi apo ka ndonjë maniak që vë kamerat aty, këtë nuk e di. Por janë përdorur.”

Scroll to Top