Çështja “Balluku”: Kushtetuesja pranon kërkesën e Ramës
Gjykata Kushtetuese vendosi të marrë në shqyrtim çështjen për pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres.
Trupa e gjykatës kushtetuese u vu në lëvizje nga kërkesa e Këshillit të Ministrave, i cili ankimoi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut nga detyra dhe për bllokimin e pasaportës së saj.
Konfirmohet se votat e gjykatësve të kushtetueses ishin 5 me 3 në favor të marrjes në shqyrtim të kërkesës së kryeministrit për t’i dhënë fund pezullimit të Belinda Ballukut.
Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, që fillimisht u pezullua dhe më vonë u hap sërish me një diferencë prej thuajse 50 milionë euro shtesë.
Prej gati dy javësh, kryeministri Rama ushtroi presion ndaj gjykatësve, duke refuzuar të zëvendësojë zv.kryeministren dhe duke kërkuar marrjen në shqyrtim të çështjes nga Gjykata Kushtetuese për të rikthyer Belinda Ballukun në detyrë.
