Avion sportiv rrëzohet në Mavrovë, plagosen dy kosovarë

Rrëzohet avioni në Mavrovë, plagosen dy persona nga Kosova

Dy persona, shtetas të Kosovës, janë lënduar pasi avioni i vogël sportiv me të cilin po fluturonin u rrëzua në Liqenin e Mavrovës më 12 dhjetor.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftoi se shtetasit kosovarë Xh.P. (41 vjeç) dhe D.M. (64 vjeç) janë dërguar në Spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor.

Avioni i vogël, sipas këtij institucioni, u rrëzua në Liqenin e Mavrovës, afër digës Kanali i Beliçit, rreth orës 12:35.

“Sipas raportimit, dy shtetas kosovarë, XH.P. dhe D.M., i cili drejtonte mjetin fluturues, kanë arritur të dalin nga avioni në tokë. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në Qendrën Mjekësore Gostivar për të marrë ndihmë mjekësore”, tha ky sektor.

D.M., sipas Sektorit të MPB-së, u shpjegoi policëve të mbërritur në vendngjarje se avioni që ai drejtonte kishte probleme në motor, duke e detyruar të ulej në liqen.

Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut bëri të ditur se pas marrjes së informacionit për rrëzimin e avionit, menjëherë në vendngjarje kanë dalë shërbimet e ndihmës së shpejtë, qendra rajonale e menaxhimit të krizave për ndërhyrje të shpejtë dhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se avioni, i markës Piper, mund të transportojë deri në katër persona. Fluturakja e rrëzuar është prodhuar në vitin 1961 dhe është e regjistruar në Shtetet e Bashkuara në emër të D.M.

Ky avion kishte qarkulluar edhe më parë në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe kishte marrë pjesë në ngjarje të aviacionit, siç ishte një shfaqje ajrore e organizuar në Shkup në vitin 2023.

Scroll to Top