Mitsotakis fton fermerët për takim të hënën
Fermerët në Greqi vijuan edhe këtë të premte me protestat e tyre, duke u përqendruar në rreshtimin e sotëm të traktorëve dhe makinerive bujqësore në portin e Selanikut.
Aksioni i sotëm konsiderohej vendimtar, pasi përfaqësonte një mesazh përshkallëzimi nga ana e fermerëve, të cilët tashmë numërojnë 108 bllokada në mbarë Greqinë.
Që në orët e para të mëngjesit, fermerë nga Halkidiki, Pieria, Imathia dhe Pella u zhvendosën drejt qytetit të Selanikut, duke krijuar një bllokadë simbolike në pjesë të portit.
“Nuk tërhiqemi,” theksuan përfaqësuesit e tyre, ndërsa brenda bllokadave, sipas mediave greke, po forcohet prirja për veprime të mëtejshme brenda 48 orëve të ardhshme.
E gjithë vëmendja tani është drejtuar drejt takimit mbarëkombëtar të së shtunës në Larisa, ku përfaqësuesit e bllokadave do të vlerësojnë nëse do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm apo një dialog thelbësor me qeverinë.
Në kulmin e protestave të fermerëve, të cilat nisën pas vonesave në pagesën e subvencioneve, Kryeministri Kiriakos Mitsotakis i ftoi ata në takim të hënën pasdite. Ende nuk ka një përgjigje nga grupimet e fermerëve.
