Itali, 2 euro për qasje më të afërt në Fontana di Trevi; Roma ndërmerr një masë të re për turistët, qytetarët vendas përjashtohen nga tarifa.
Monumenti barok, i vendosur në një shesh publik, do të mbetet i shikueshëm falas nga distanca, por qasja më e afërt do të jetë e rezervuar për ata që posedojnë biletë.
“Nga 1 shkurti, do të prezantojmë një biletë me pagesë për gjashtë vende të rëndësishme në kryeqytetin italian, përfshirë Shatërvanin e Trevit,” njoftoi kryebashkiaku Roberto Gualtieri në një konferencë për shtyp. Hyrja në pesë vendet e tjera do të kushtojë pesë euro (rreth 5.85 dollarë).
Shatërvani i shekullit të 18-të, sfondi i skenës ikonike nga filmi “La Dolce Vita” i Federico Fellinit ku aktorja Anita Ekberg zhytet në ujë, është ndër destinacionet kryesore për turistët që vizitojnë Romën.
Tradita e hedhjes së një monedhe për të bërë një dëshirë është aq e fuqishme sa autoritetet mbledhin mijëra euro çdo javë, të cilat i dhurojnë organizatës bamirëse Caritas. Megjithatë, turmat në sheshin përreth monumentit barok janë shpesh aq të dendura sa vështirësohet shikimi i tij siç duhet.
Gualtieri theksoi se numri i madh i vizitorëve krijon një “ngërç” të shkaktuar nga “problemi i famshëm i mbiturizmit”. Qindra turistë vëreheshin duke ecur rreth shatërvanit, shumë prej të cilëve mbanin telefona për të bërë fotografi. Heshtja ndërpritej vetëm nga fishkëllimat e rojeve që menaxhonin lëvizjen e turmave dhe siguronin respektimin e rregullave, siç është ndalimi i pirjes së ujit nga shatërvani.
“Duhet të jetë i lirë”
“Nuk është mirë, mendoj. Duhet të jetë falas,” tha një turist nga Gjiri, teksa shtynte vajzën e tij me karrocë në radhë për të vizituar zonën përpara shatërvanit. Një turist nga Koreja e Jugut u shpreh se do të “duhej të mendonte” nëse do ta vizitonte përsëri pasi të bëhej me pagesë.
Midis 1 janarit dhe 8 dhjetorit, rreth nëntë milionë turistë kanë vizituar zonën pikërisht para shatërvanit, mesatarisht 30,000 njerëz në ditë, sipas Gualtierit. Zona ka qenë shënjestër e hajdutëve të xhepave dhe zyrtarët e Romës kanë diskutuar për vite me radhë mënyra të ndryshme për rregullimin e aksesit.
Banorët e Romës do të kenë qasje të lirë. Bashkia vlerëson se bileta e hyrjes në Shatërvanin e Trevit mund të sjellë 6.5 milionë euro në vit, tha Gualtieri. Biletat mund të blihen online ose në vend, me karta ose metoda të tjera pagese pa kontakt, thanë zyrtarët. Do të ketë radhë të ndara për ata që posedojnë tashmë biletë dhe ata që e blejnë atë në vend.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet italiane vendosin tarifa për monumentet. Panteoni – një kishë dhe ish-tempull romak – filloi t’u faturojë vizitorëve në vitin 2023, dhe Venecia vitin e kaluar futi një tarifë hyrjeje për turistët gjatë periudhave të pikut.
