Avokati: S’ka prova për lidhjen e Agasit me rrëmbimin

Avokati: Nuk ka asnjë provë që e lidh Ergys Agasin me rrëmbimin e Gerond Meçes

Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, u paraqit këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për të marrë dokumentet për klientin e tij. Ai deklaroi se dosja është shpërndarë në media, ndërkohë që ai dhe klienti i tij nuk e kanë ende në posedim. Haxhia theksoi se në dosjen e SPAK-ut nuk ka asnjë provë që vërteton se Agasi ka lidhje me fushën e tenderave dhe është i përfshirë në rrëmbim personi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Haxhia tha se klienti i tij ndodhet jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi dhe se sapo të kthehet në Shqipëri, do të përballet me drejtësinë.

“Është jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi. Patjetër që do të vetëdorëzohet, kur të kthehet do mbajë qëndrimin për t’u përballur me drejtësinë. SPAK komprometon veten duke nxjerrë të dhënat e dosjes, ndërkohë që konkluzionin e nxjerr politika dhe opozita”, tha Haxhia.

Avokati Haxhia ka këmbëngulur se klienti i tij nuk ka lidhje me akuzat për AKSHI-n.

“Dua t’i them prokurorisë se para se t’ia japë medias, t’ia japë personit nën hetim dhe avokatit, që ne të tregojmë përpara opinionit publik se jemi në një gjueti shtrigash dhe se po shfrytëzohemi nga politika duke e paraqitur Agasin si kryeministër në hijë, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Zoti Agasi nuk është ndonjë person i punësuar në shtet, ai është një person që ushtron veprimtari biznesi. Me aq sa e njoh unë, nuk ka në kodin penal që duhet të akuzohesh për iniciativën e lirë. Agasi nuk ka asnjë aplikim në tenderat e AKSHI-t. Ai nuk e ka në objektin e veprimtarisë së tij. Agasi nuk ka përfituar asnjë tender nga financat e buxhetit. Nuk ka asnjë veprimtari të paligjshme. Sa i takon filmimeve, atje është një instrument sigurie, pasi Agasit i është tentuar t’i vidhet biznesi. Klienti im nuk është larguar, ai është jashtë shtetit për të lidhur një marrëveshje. Kur të kthehet do të mbajë qëndrimin e vet. SPAK komprometohet duke nxjerrë këto të dhëna. Nuk e njoh fare personin që është marrë peng”, tha avokati Maks Haxhia.

Gazetarët e kanë pyetur se nëse nuk është politikan, ç’lidhje ka Agasi me emërimet. “SPAK thotë ato që do SPAK, por jo ato që janë në realitet dhe prova. Nuk ka asnjë provë që Agasi të jetë marrë me fushën e tenderave, por as nuk njihet me personin”, tha ai, duke iu referuar Gerond Meçës, i cili u mor peng dhe u kërcënua që të hiqte dorë nga ankimimet për tenderat.

Scroll to Top