7 persona në gjyq për mashtrim të shtetasve të huaj në Tiranë

Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 7 persona për mashtrim të shtetasve të huaj

Prokuroria Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona, të cilët akuzohen për mashtrimin e shtetasve të huaj, kryesisht italianë. Të pandehurit u premtonin atyre investime në bursën ‘Forex’ me qëllim përfitimi.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë realizuar veprimtari mashtruese brenda ambienteve të shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., duke operuar nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e cila funksiononte si një call center.

Në kuadër të këtij operacioni, të pandehurit kanë marrë pjesë në realizimin e skemës mashtruese, duke synuar shtetas të huaj, mes tyre italianët L.C. dhe S.S., duke kontribuar në funksionimin dhe vazhdimësinë e mekanizmit të mashtrimit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 8500 të vitit 2023, të nisur pas informacioneve të marra nga Policia lidhur me subjektet e licensuara dhe të palicensuarat në lidhje me veprimtarinë ‘Forex’.

Të akuzuarit, shtetasit B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R., dhe L.Sh., përballen me akuzën e veprës penale ‘Mashtrimi’, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

Nga ky procedim janë veçuar aktet dhe vijojnë hetimet në një procedim të ri me numër 8500/1, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/3 i K.Penal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Nga këqyrja e aplikacionit “WhatsApp” të telefonave të sekuestruar, janë konstatuar biseda me persona të huaj, të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit. Nga këto komunikime rezulton se shtetasve u kërkoheshin shuma të ndryshme monetare për t’i investuar në bursën Forex, me premtimin e përfitimeve më të mëdha.

Një rast specifik përfshin shtetasin L.C., i cili ka komunikuar në WhatsApp duke njoftuar një transferë prej 8,700 euro, pas nënshkrimit të një kontrate për një vlerë prej 100,000 euro. Ai ka kryer transferën bankare më 29.11.2023, duke e përshkruar si hua. Më pas, shtetasi ka shprehur shqetësimin se bëhej fjalë për një mashtrim të madh. Më datë 13.12.2023, i kërkohet sërish një transaksion prej 3,500 euro, si penalitet për vonesën e transferës së parë.

Në aktivitetin mashtrues të zhvilluar në call center, të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror. Ata kanë qenë të vetëdijshëm për natyrën mashtruese të veprimtarisë, duke kontaktuar klientë të huaj për investime të rreme në Forex dhe duke ndjekur në mënyrë të përsëritur të njëjtin mekanizëm për të përfituar para pa qëllim kthimi.

Shtetasi Gj.R., i punësuar në “Ozar” shpk, ka qenë aktiv në ndjekjen e klientëve dhe koordinimin e operatorëve. Shtetasi L.Sh. ka pasur një rol të lartë funksional, duke dhënë udhëzime dhe ndarë detyra.

Shtetasi E.A., administrator ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k., mban përgjegjësi për mosveprimin e tij si administrator, duke pranuar të drejtojë shoqërinë pa marrë masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e saj për veprimtari të paligjshme.

Shtetasi A.Ll. ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe mbështetjen e operatorëve. Ndërsa shtetasit B.B. dhe K.D. kanë qenë të pranishëm pranë “Ozar” në momentin e ndërhyrjes së policisë, me dijeni të plotë mbi natyrën mashtruese të aktivitetit. J.J. ka pasur rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe zgjidhjes së problemeve teknike.

Rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë, kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

Scroll to Top