Taksa e re për pasuritë e paluajtshme në e-Albania

Vendimi / Taksa e re për pasuritë e paluajtshme, njoftimet për detyrimin do gjenerohen në e-Albania

Qeveria ka njoftuar zbatimin e një ligji të ri për taksimin e pasurive të paluajtshme, i cili parashikohet të fillojë në vitin 2028 për ndërtesat e banimit dhe në vitin 2030 për truallin. Periudha nga viti 2026 deri në 2027 do të shërbejë si fazë tranzitore për aplikimin e këtij ligji.

Gjithashtu, Ministria e Financave ka planifikuar që brenda vitit 2026 të gjitha bashkitë të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale. Ky konsiderohet si parakushti thelbësor për hapat e mëtejshëm.

Në kuadër të këtij procesi, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në vendimin nr. 171, datë 28.3.2018, “Për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë”. Ky vendim përcakton ndryshime në organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, duke theksuar rolin e saj në mbështetjen e bashkive për administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë:

  • Menaxhon regjistrin qendror të pasurive (Kadastra Fiskale), përditëson të dhënat dhe ofron asistencë teknike për bashkitë.
  • Mbikëqyr saktësinë e të dhënave dhe përputhshmërinë e vendimeve të këshillave bashkiakë me ligjin.
  • Asiston në shërbimin ndaj taksapaguesve dhe organizon fushata informuese.
  • Bashkëpunon me institucione shtetërore si AKSHI, përgatit manuale dhe trajnon stafin e bashkive.
  • Informon periodikisht ministrin e Financave mbi ecurinë e procesit dhe të ardhurat e mbledhura.
  • Asiston bashkitë në regjistrimin e pagesave të taksës mbi pasurinë e paluajtshme, si në pika të autorizuara, ashtu edhe përmes portalit “e-Albania”.
  • Ofron udhëzime për llogaritjen e taksës dhe procesin e dërgimit të njoftimeve të vlerësimit, duke siguruar kryerjen e pagesave në kohë dhe në mënyrë korrekte.
  • Monitoron dhe verifikon saktësinë e të ardhurave të mbledhura nga këto taksa.

Vendimi ngarkon Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Taksës për zbatimin e tij dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Ndryshimet specifike në vendimin nr. 171, datë 28.3.2018, përfshijnë:

  • Misioni kryesor: Mbështetja e njësive të vetëqeverisjes vendore (bashkitë) në zbatimin e legjislacionit që rregullon taksën mbi pasurinë e paluajtshme.
  • Kompetencat dhe përgjegjësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë:
    • Administron regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra Fiskale) dhe është dhënësi i vetëm i të dhënave.
    • Ofron asistencë për bashkitë gjatë regjistrimit, përditësimit dhe korrigjimit të të dhënave.
    • Monitoron të dhënat e regjistruara nga bashkitë, identifikon mangësi dhe u jep udhëzime për adresimin e tyre.
    • Regjistron dhe përditëson të dhënat në Kadastrën Fiskale sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
    • Pajis përdoruesit e sistemit informatik me kode hyrjeje dhe kredenciale.
    • Miraton me vendim të drejtorit të Përgjithshëm modelet tip të njoftimit të vlerësimit të taksës, kërkesave për korrigjim, formularëve, etj.
    • Asiston bashkitë në adresimin e kërkesave dhe problematikave lidhur me administrimin e taksës mbi ndërtesën, duke përfshirë udhëzime teknike, përcaktimin e bazës së taksës, llogaritjen, gjenerimin e njoftimeve dhe regjistrimin e pagesave.
    • Monitoron dhe vlerëson zbatimin e legjislacionit përkatës në bashkitë e Republikës së Shqipërisë.
    • Kërkon nga bashkitë korrigjimin e të dhënave kur konstaton parregullsi.
    • Verifikon përputhshmërinë e vendimeve të këshillave bashkiakë me legjislacionin.
    • Administron procesin e mirëmbajtjes, operimit dhe zhvillimit të funksionaliteteve të sistemit informatik të Kadastrës Fiskale.
    • Bën testimin dhe pranimin përfundimtar të funksionaliteteve të sistemit informatik.
    • Bashkëpunon me AKSHI për mirëmbajtjen, operimin dhe zhvillimin e funksionaliteteve të sistemit informatik, si dhe ndërveprimin me bazat e tjera shtetërore të të dhënave.
    • Asiston bashkitë në informimin dhe shërbimin ndaj taksapaguesve dhe organizon fushata informuese.
    • Kërkon nga bashkitë informacion të detajuar mbi administrimin e taksës, shërbimin ndaj taksapaguesve dhe të ardhurat e mbledhura.
    • Harton dhe propozon ndryshime në kuadrin ligjor përkatës.
    • Trajnon stafin e bashkive përgjegjës për administrimin e taksës.
    • Përgatit manuale informuese për zbatimin e legjislacionit dhe përdorimin e sistemit informatik.
    • Informon periodikisht ministrin përgjegjës për financat mbi ecurinë e procesit dhe të ardhurat e mbledhura.
    • Bashkëpunon me agjentin përgjegjës për mbledhjen e taksës, ofruesit e shërbimeve dhe autoritete të tjera.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Scroll to Top