In Hoc Anno Domini
Të nderuar lexues,
shkrimi që po ju sjellim më poshtë është përkthimi i një editoriali të botuar në të famshmen “Wall Street Journal” (WSJ), në ditën e Krishtlindjeve të vitit 1949. Që nga ai vit, gazeta amerikane e riboton çdo vit, më 24 Dhjetor, në vlerësim të mesazhit shumë të fortë që tenton të përçojë. Ky mesazh, shkruar me një stil biblik, flet për lirinë e individit si nocion dhe çmimin e patjetërsueshëm që ajo ka për njeriun, kombin dhe gjithë njerëzimin. E sjellim edhe për ju në shqip me të njëjtin synim.
In Hoc Anno Domini
Kur Sauli nga Tarsa nisi rrugëtimin për në Damask, e gjithë bota ishte e nënshtruar dhe në robëri. Kishte një shtet të vetëm, Perandorinë Romake. Kishte një padron të gjithçkaje, Cezari Tiber. Kudo mbretëronte rendi civil, pasi ligji romak ishte gjithëpranishëm. Kudo kishte stabilitet në qeverisje dhe në shoqëri, pasi centurionët vigjilonin për ta garantuar atë.
Por kishte dhe diçka tjetër që mbizotëronte: shtypja – për të gjithë ata që nuk ishin miq të Cezarit Tiber. Kishte tagrambledhës, të cilët merrnin prodhimin nga arat dhe lirin nga kopeja, për të ushqyer legjionet apo për të mbushur thesarin gjithmonë të uritur, nga i cili, Cezari hyjnor shpërndante me bujari pasuri për mbështetësit e tij. Kishte përzgjedhës, të cilët gjenin dhe zgjidhnin rekrutë për cirqet dhe lojërat. Sikurse kishte xhelatë, të cilët bënin të heshtnin përgjithmonë armiqtë e dënuar nga Perandori. Dhe përse vlente tjetër jeta e njeriut, veçse për t’i shërbyer Cezarit?
Përndiqeshin njerëzit që guxonin të mendonin ndryshe, ata që u vinin veshin zërave të çuditshëm apo lexonin dorëshkrime të çuditshme. Skllavëroheshin njerëzit, fiset e të cilëve nuk vinin nga Roma; përçmoheshin dhe poshtëroheshin ata që nuk kishin një lidhje familjare me elitat. Dhe mbi të gjitha, kudo vërehej një nënvlerësim për jetën njerëzore. Ç’ndryshim kishte për të plotfuqishmit një njeri më pak a më shumë, në një botë plot turma?
Pikërisht në një botë si kjo, papritmas shfaqet një dritë dhe një burrë në Galilea u thotë njerëzve: “Jepini Cezarit atë që i takon Cezarit dhe Zotit atë që i takon Zotit”. Dhe zëri nga Galilea, i cili do të sfidonte Cezarin, ofronte një Mbretëri të re, ku çdokush mund të ecte me kokën lart dhe të mos përkulej para askujt, përveç Zotit të tij.
Ai tha: “Ç’do që t’u keni bërë edhe më të vegjlit prej këtyre vëllezërve të mi në tokë, ma keni bërë mua”. Dhe ai e shpërndau këtë ungjill-testament të Mbretërisë së Njeriut në skajet më të largëta të tokës.
Kështu, në botë erdhi drita. Njerëzit që jetonin në errësirë dhe ishin mësuar me të, u kapluan nga frika dhe u përpoqën të mbyllnin një perde, në mënyrë që njeriu të vazhdonte të besonte se çelësi i shpëtimit ishin udhëheqësit. Por, pas njëfarë kohe, në vende të ndryshme, e vërteta çliroi më në fund njeriun, ndonëse njerëzit e errësirës, të mërzitur, u përpoqën të shuanin dritën.
Zëri tha: “Nxitoni. Ecni sa keni dritën, mos lejoni t’ju zërë errësira, sepse kush ecën në errësirë, nuk e di nga shkon.”
Përgjatë rrugës për në Damask, drita shkëlqente fort. Por më pas, edhe vetë Pali nga Tarsa u pushtua nga frika. Ai i druhej faktit se mos të tjerë Cezarë apo profetë të rremë, një ditë mund t’i bindnin njerëzit se njeriu nuk ishte veçse një shërbëtor për ta; se njerëzia mund të dorëzonin për një pjatë supë, të drejtën që Zoti u kishte dhënë që në lindje dhe të mos ecnin më të lirë.
E kështu, mbase mund të vinte përsëri një kohë kur errësira do të sundonte sërish mbi tokë, kur librat do të digjeshin dhe njerëzit do të mendoheshin vetëm se çfarë do të hanin dhe çfarë do të vishnin, duke iu përulej vetëm Cezarëve të rinj apo profetëve të rremë. E më keq akoma, mbase njerëzit nuk do të ngrinin as sytë lart në qiell për të parë qoftë edhe një yll dimëror në Lindje, dhe kështu sërish, nuk do të kishte më fare dritë në errësirën mbretëruese.
Dhe kështu, Shën Pali, apostulli i Birit të Njeriut, ju drejtua vëllezërve të tij, Galatasve, me fjalët që do të donte që ne t’i kujtonim në vijimësi, në secilin prej viteve të Zotit:
“Krishti ju çliroi, e prandaj qëndroni fort e të patundur në mbrojtje të lirisë dhe mos pranoni kurrë më të lidheni nën zgjedhën e robërisë.”
/ WSJ
