Ndërtimet e papërfunduara të konfiskuara, shumat që do të paguajnë zhvilluesit, përndryshe bllokim llogarish
Ndërtimet, të cilat janë zhvilluar jashtë lejeve të dhëna por janë ende të papërfunduara, do të duhet të plotësohen dhe ndërtuesi do të ketë detyrimin për të mbuluar një pjesë të investimit.
Drafti “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 66/2023 “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa lejë me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara” parashikon që, nëpërmjet një eksperti të kontraktuar, grupi i punës i dedikuar për këtë proces kryen vlerësimin e përshtatshmërisë së objektit dhe përcakton nevojat teknike, urbane, financiare dhe procedurale për realizimin e përshtatjes.
Po kështu, ky grup propozon formën më të përshtatshme të zhvillimit në rastin konkret, si dhe harton masat përkatëse për zhvillim, të cilat i propozohen për miratim titullarit të institucionit. Ky i fundit më pas ia paraqet ministrit përgjegjës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga krimi, në rast shitjeje.
“Për zhvillimin e objekteve me investim të papërfunduar, nëpërmjet ekspertit të licencuar, Agjencia vlerëson kostot për përfundimin e punimeve për:
- a) kryerjen e punimeve totale për përfundimin e objektit, me qëllim vënien e tij në funksion;
- b) kryerjen e punimeve për përfundimin e tyre në lidhje me ambientet e përbashkëta;
- c) kryerjen e punimeve për përfundimin e ambienteve të cilat i përkasin pronësisë Shtet” thuhet në pikën 2 të nenit 19/1.
Sipas të njëjtit nen, për çdo objekt, rast pas rasti, duhet të merret parasysh që:
- – Në varësi të objektit të konfiskuar, nga 2-10% të shpenzimeve për përfundimin e punimeve të pakryera në objekt, kryhen nga subjekti zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, sipas angazhimit të marrë prej tij në fazën fillestare të ndërtimit të objektit. Nëse ai nuk i kryen ato, atëherë procedohet me bllokimin e llogarive bankare dhe pasurive të tij për të mbuluar shpenzimet.
- – Në rastin kur objekti i konfiskuar ka tejkalim të lejes së ndërtimit mbi 10% të punimeve të kryera pa leje, nga ana e ekspertit të licencuar, të kontraktuar nga AAPSK, përcaktohet vlera e nevojshme për kryerjen e punimeve përsa i përket ambienteve të përbashkëta që duhen realizuar për përfundimin e objektit.
- -c) Vlera e nxjerrë nga eksperti i njoftohet subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues për kryerje pagese. Në rast moskryerje të pagesës nga ana e tij, merren masa për bllokimin e llogarive bankare apo aseteve të subjektit zhvillues/zbatues/mbikëqyrës/kolaudues, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e punimeve.
“Me marrjen e objektit dhe administrimin e tij nga AAPSK-ja, kjo e fundit merr masat për regjistrimin përkatës pranë ASHK-së. 5. Në rastet e objekteve të cilat kalojnë në pronësi/përdorim apo përgjegjësi administrimi, institucioni përfitues realizon procedurat për investimin përkatës” thuhet në fund të këtij neni./ N.Maho
