Rënie prodhimi birre: Stok të grumbulluar, konsum i ulët turistik

Birra mbeti stok gjatë sezonit turistik, prodhimi ra 11% në shtator-nëntor

Prodhuesit vendas të birrës ende ballafaqohen me stoqe të grumbulluara gjatë verës, të cilat mendohej se do të konsumoheshin më shumë për shkak të pritshmërive për rritje të konsumit nga turizmi. Këto stoqe të mbetura kanë ndikuar në rënien e prodhimit për periudhën shtator-nëntor 2025.

Sipas të dhënave të Doganave, prodhimi për këtë periudhë ka rënë me 11% krahasuar me periudhën shtator-nëntor 2024. Megjithatë, për 11-mujshin 2025, prodhimi total i birrës ka arritur 37.7 milionë litra, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky nivel është një nga më të lartat pas periudhës së pandemisë së Covid-19.

Gjatë muajve të verës, operatorët kryesorë rritën prodhimin me rreth 10%, duke u bazuar në parashikimet optimiste për shtimin e konsumit nga turistët. Rritja më e ndjeshme e prodhimit u regjistrua në korrik 2025, me 6.1 milionë litra, një rritje prej 35% krahasuar me korrikun e vitit 2024.

Pavarësisht rritjes së prodhimit gjatë verës, pas përfundimit të sezonit turistik, shumica e birrës u magazinua, pasi pritshmëritë e rritjes së konsumit nga turistët nuk u realizuan plotësisht. Operatorët raportojnë se gjatë sezonit turistik dominuan turistët me buxhet të ulët, të cilët preferuan të konsumonin më shumë në ambiente private sesa në bare dhe restorante.

Prodhuesit gjithashtu përmendin disa faktorë të tjerë që pengojnë rritjen e konsumit të birrës vendase:

  • Akciza e aplikuar për prodhimin vendas është e barabartë me atë të shoqërive importuese që nga viti 2023.
  • Çmimet konkurruese të birrave të importit ushtrojnë presion mbi çmimet vendase.
  • Ka një ulje të përgjithshme të konsumit të pijeve alkoolike në ambientet familjare, me konsumin kryesisht të zhvendosur në bare dhe restorante, ku çmimet janë më të larta. (Cmimi mesatar për shishe 0.33L ose kanaçe 0.5L në dyqan varion nga 80-120 lekë, ndërsa në bare dhe restorante nga 200-350 lekë).

Në anën tjetër, importet e birrës vijojnë të jenë në rënie, duke filluar që nga korriku 2025. Gjatë periudhës janar-nëntor 2025, janë importuar 51.6 milionë litra birrë, duke shënuar një rënie prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Drejtues të kompanive importuese kanë deklaruar më parë se gjatë verës hasën rënie të konsumit, për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë: numrin më të ulët të turistëve krahasuar me sezonin e kaluar, abuzimin me çmimet e shitjes së birrës së importit në zonat bregdetare dhe aksionet qeveritare për lirimin e hapësirave publike, të cilat çuan në heqjen e tendave të shumë bareve dhe restoranteve.

Megjithëse importet përbëjnë ende peshën kryesore të tregut, me 58% gjatë periudhës janar-nëntor 2025, kundrejt 42% të prodhimit vendas, rënia e tyre tregon një tendencë të ndryshuar në tregun e birrës.

Scroll to Top