Sherr në Korçë, dhunohet një person
Një konflikt mes disa personave ka ndodhur në lagjen 7 të qytetit të Korçës. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një konflikt ka shpërthyer në një lokal dhe dyshohet se njëri prej personave të përfshirë është goditur.
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Ata kanë shoqëruar për në ambientet e policisë personin që dyshohet se është dhunuar, i cili raportohet të ketë qenë në gjendje të dehur, si dhe pronarin e lokalit, për t’i marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, policia po vë në dispozicion të gjitha kamerat e sigurisë në zonë për të mundur të identifikohen personat e tjerë të implikuar në konflikt. Dyshohet se shkaku i konfliktit ka qenë një motiv banal dhe pritet që detaje të tjera të zbardhen në vijim të hetimit.
