Dëshmia e vartëses së Ballukut: Presion për tunelin e Llogarasë

Zbardhet dëshmia e vartëses së Ballukut: Më bënë presion Berberi dhe ministrja

Është zbardhur dëshmia e dhënë në SPAK nga Mirzeta Kashnica, vartësja e ish-ministres Belinda Balluku. Ajo është shprehur para prokurorëve të posaçëm se është detyruar nga ish-kreu i ARRSH, Evis Berberi, të firmosë për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, Mirzeta Kashnica ka deklaruar se në procedurën e parë të prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e cila u anulua, ajo, si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, mendonte se operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. përmbushte kriteret dhe duhej të shpallej fitues.

Ajo deklaron se këtë qëndrim ia ka dërguar me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë. Menjëherë pas dërgimit të këtij email-i, pa u mbyllur ende vlerësimi i komisionit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga shtetasi Evis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me e-mail.

“E pandehura Mirzeta Kashnica deklaron se në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021, për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë, ajo ka nënshkruar pasi është trysnuar nga shtetasi Evis Berberi, që të vazhdonte me procedurën”, thuhet në kërkesën që SPAK i ka dorëzuar Kuvendit për autorizim për të arrestuar ish-ministren.

Pas kësaj dëshmie, SPAK pretendon se Belinda Balluku ka ushtruar presion mbi vartësen e saj, gjë që sipas prokurorisë provohet nga përgjimet.

“Në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo ishte njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshëm ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K. (vartëse e saj)”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Dëshmia (Datë 10 nëntor 2025)

E pandehura Mirzeta Kashnica ka deklaruar se i kujtohet se tek procedura e parë e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e cila u anulua, në vlerësimin e saj si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. përmbushte kriteret dhe duhej të ishte shpallur fitues.

Ajo deklaron se këtë qëndrim ia ka dërguar me email anëtarëve të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe për dijeni ia ka dërguar edhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë. Ajo deklaron se menjëherë sapo ka dërguar këtë email, në orën 17:05, pa u mbyllur ende vlerësimi i komisionit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga shtetasi Evis Berberi, i cili i ka thënë se nuk duhej të shprehej me email. Pasi ai kishte folur dhe kjo procedurë ishte mbyllur, do të anulohej, pasi asnjë nga operatorët ekonomikë nuk ishte në rregull.

E pandehura Mirzeta Kashnica deklaron se në lidhje me procesverbalin e datës 18.03.2021, për vlerësimin e ofertave, ku janë anuluar të gjitha ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë, ajo ka nënshkruar, pasi është trysnuar nga shtetasi Evis Berberi, që të vazhdonte me procedurën.

Ajo deklaron se shtetasi Evis Berberi ishte anëtar i komisionit, si dhe personi që diktonte vendimmarrjen e komisionit. Në lidhje me procedurën e prokurimit të rishpallur me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, ajo deklaron se sa herë mblidhej komisioni, anëtarët e tjerë të komisionit i kishin marrë vendimet me njëri-tjetrin dhe e intimidonin atë në lidhje me qëndrimet e saj.

SPAK thekson se Balluku po frikëson dëshmitarët dhe kjo është një nga arsyet që kërkon leje për arrest.

“Në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo ishte njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshëm ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K. (vartëse e saj)”, thotë SPAK.

Scroll to Top