Siguria nga zjarri në Shqipëri: Ekspertët kërkojnë reforma urgjente

Ekspertët e SFPE: Shqipëria duhet të ndërtojë një sistem më të fortë për sigurinë nga zjarri

Shqipëria ka nevojë për të forcuar sistemin parandalues për sigurinë nga zjarri, duke filluar me përshtatjen e kodeve të ndërtimit me profilin e rrezikut në vend, forcimin e inspektimeve dhe edukimin e profesionistëve.

Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Joshua Reichert, Kryeinxhinier pranë SFPE Global (Shoqata Globale e Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri), gjatë konferencës dyditore “Tirana Fire Safety 2026”. Konferenca, e organizuar nga SFPE Albania dhe presidenti i saj Nikolin Risilia, ka mbledhur ekspertë ndërkombëtarë të inxhinierisë së sigurisë nga zjarri për të prezantuar praktikat e vendeve të zhvilluara dhe mënyrat se si ato mund të përshtaten në Shqipëri.

Në prezantimin e tij të fokusuar në Shqipëri, Reichert propozoi një model me gjashtë hapa:

  • Hartimin ose përshtatjen e një kodi sipas profilit të rrezikut dhe stokut të ndërtesave në vend.
  • Kthimin e tij në një kërkesë ligjore të detyrueshme.
  • Financimin dhe forcimin e kapaciteteve të inspektimit dhe lejeve.
  • Edukimi i inxhinierëve, arkitektëve, inspektorëve dhe autoriteteve.
  • Bashkëpunimi mes disiplinave.
  • Përditësimi i vazhdueshëm i kodit bazuar në materiale, teknologji dhe përvoja të reja.

Sipas prezantimit, elementet kryesore të sigurisë, si daljet alternative të emergjencës, rezistenca pasive ndaj zjarrit dhe ndarja e ndërtesës në sektorë, duhet të parashikohen që në fazën e projektimit dhe jo të shtohen më vonë, pas inspektimeve apo incidenteve.

Reichert rikujtoi tragjedira historike që kanë ndikuar në mënyrën e hartimit dhe zbatimit të kodeve të sigurisë. Mes tyre, zjarri i vitit 1903 në Iroquois Theatre në Chicago, ku disa dalje ishin të mbyllura dhe mungonin sinjalistika e alarmet, si dhe zjarri në Cocoanut Grove në Boston në vitin 1942, ku humbën jetën 492 persona. Në rastin e fundit, rregullat ekzistonin, por nuk ishin zbatuar. Mesazhi kryesor i këtyre rasteve ishte se vetëm ekzistenca e një kodi nuk është e mjaftueshme nëse ai nuk zbatohet dhe kontrollohet.

Gjatë konferencës, Björn Karlsson, profesor emeritus në Universitetin e Islandës, theksoi se shumë vende të zhvilluara po kalojnë drejt kodeve të ndërtimit të bazuara në performancë. Në vend që rregullorja të përcaktojë vetëm materialin apo zgjidhjen që duhet përdorur, ajo përcakton nivelin e sigurisë që ndërtesa duhet të arrijë, dhe projektuesit duhet të dëshmojnë se zgjidhja e zgjedhur e plotëson atë.

Zhvillimi i shkencës së zjarrit ka mundësuar gjithashtu përdorimin e simulimeve për përhapjen e zjarrit dhe tymit, si dhe për lëvizjen e njerëzve gjatë evakuimit. Karlsson shtoi se kalimi drejt sistemeve më fleksibël kërkon njëkohësisht kontrolle më të forta, zbatim të njëtrajtshëm të rregullave dhe garantimin e kualifikimit të projektuesve.

Luciano Nigro, zv. president i SFPE në Itali, nënvizoi se sistemet moderne të sigurisë nga zjarri duhet t’u ofrojnë projektuesve mundësinë të përdorin standarde teknike, teknologji inovative dhe metoda të avancuara inxhinierike. Mbrojtja nga zjarri, sipas kësaj qasjeje, duhet të funksionojë si një sistem i integruar, ku rezistenca e strukturës, rrugët e evakuimit, alarmet, menaxhimi i tymit, sistemet e shuarjes dhe ndërhyrja e zjarrfikësve plotësojnë njëra-tjetrën.

Scroll to Top