“Të drejtat e Veliajt u shkelën”, raporti i Avokatit të Popullit: Privatësia mjekësore e Kryebashkiakut u pre nga Policia e Burgjeve
Publikuar më 25.12.2025
Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ju shkel privatësia mjekësore nga ana e Policisë së Burgjeve. Ky është përfundimi i arritur nga Avokati i Popullit pas verifikimeve të zhvilluara, të cilat u nxitën nga shqetësimet e vetë kryebashkiakut. Gjatë ekzaminimeve mjekësore, Veliajt nuk i është lejuar të jetë vetëm me mjekët; gjatë një kolonoskopie, në dhomë ka qenë i pranishëm edhe një efektiv i policisë së burgjeve.
Pas vizitës mjekësore urgjente të datës 31 korrik, kryebashkiaku njoftoi Avokatin e Popullit për shkelje të dinjitetit. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, të cilin TCH e ka në posedim, komisionerët pyetën mjekët që kryen ekzaminimin dhe ata pohuan se Erion Veliaj e kishte kundërshtuar praninë e policisë gjatë procedurës së kolonoskopisë.
“U kam kërkuar punonjësve të presin jashtë,” citon raporti mjekun, “por ata nuk kanë pranuar, duke thënë se e kanë për detyrë të zbatojnë rregullat e sigurisë të miratuara në këto raste.”
Hetimi mbi ambientin e dhomës ku u krye ekzaminimi nxori në pah se vendi ishte i hapur dhe i pandarë, duke bërë të pamundur shmangien e vëzhgimit dhe dëgjimit të asaj që po ndodhte.
Në përgjigjet e Drejtorisë së Burgjeve drejtuar Avokatit të Popullit, konfirmohet se Veliaj, pothuajse një muaj pas arrestimit, ishte vlerësuar nga autoritetet si i burgosur me risk standard, pra jo i rrezikshmërisë së lartë. Për këtë arsye, konkludohet se prezenca e policisë gjatë vizitës mjekësore ka qenë e panevojshme.
Megjithatë, në katër shkresa të dërguara nga Burgjet, i shpjegohet Avokatit të Popullit se prezenca e policisë, duke shkelur raportin pacient-mjek, në rastin e Veliajt u ndoq duke zbatuar një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve të datës 21 janar 2019. Për pasojë, Avokati i Popullit kërkon ndryshime sa më të shpejta.
Ky rekomandim prek direkt urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve. Nisur nga rasti Veliaj, Avokati i Popullit deklaron se prania e policisë gjatë vizitave mjekësore, të cilat duhet të mbeten konfidenciale, duhet të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme sigurie. Ai rekomandon që urdhri i vitit 2019 të ndryshohet dhe të përmbushen standardet ndërkombëtare për respektimin e dinjitetit.
Ky rast përfaqëson fitoren e dytë për Veliajn, pas asaj të marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ktheu në detyrën e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Si i akuzuar nga SPAK për korrupsion, Veliaj i është drejtuar sërish Gjykatës me kërkesën për shpalljen si të paligjshëm të masës arrest në burg. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk e ka caktuar ende datën për shqyrtime. Gjykimi paraprak ndaj 30 të pandehurve, përfshirë Veliajn, është shtyrë për datën 5 janar, pas kërkesave të vazhdueshme të funksionarit për t’i vënë në dispozicion fashikujt e hetimit.
