Dy kongresmenë i dërgojnë letër Albin Kurtit: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën mbetet e fortë
Dy kongresistë kanë konfirmuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mbetet “e fortë dhe dypartiake” në Kongresin amerikan, përmes letrave të ndara drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Kongresisti republikan, Mike Lawler, në një letër të publikuar të premten nga Qeveria në detyrë, theksoi: “Veprimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, nënvizojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj së ardhmes euro-atlantike të Kosovës.” Ai shtoi se përpjekje të tilla janë të domosdoshme për promovimin e stabilitetit afatgjatë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Kongresisti demokrat, George Latimer, në letrën e tij, gjithashtu të publikuar të premten nga Qeveria në detyrë, shprehu dëshirën për të theksuar “mbështetjen e fortë” të SHBA-së për Kosovën. “Siç e përcakton shprehimisht Ligji për Autorizimin e Sigurisë Kombëtare, i miratuar së fundi, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë plotësisht pas përpjekjeve të Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe mbështesin përpjekje drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qëllime që do të përmirësonin dukshëm edhe sigurinë, edhe sundimin e ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor,” thuhet në letër.
Të dy kongresistët iu referuan një Akti për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili u nënshkrua nga presidenti Donald Trump javën e kaluar. Ky akt kërkon gjithashtu që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023, sipas Radio Evropa e Lirë.
Kjo letër vjen pas takimit të Lawler dhe Latimer me Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington në shtator. Komentet e kongresistëve vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pësuan sfida gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të vendimeve të Kurtit për zgjerimin e sovranitetit në veriun e banuar me shumicë serbe, pa u koordinuar me komunitetin ndërkombëtar. Këto veprime çuan në pezullimin pa afat të një dialogu strategjik të planifikuar mes dy vendeve.
Kurti ka arsyetuar këto veprime si në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ai ka deklaruar së fundi se marrëdhëniet me SHBA-në “janë shumë të mira” dhe se mospajtimet kryesore kanë qenë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale. Më 11 dhjetor, Kurti pohoi gjithashtu se për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit zhvillon në shumicën e rasteve me vende të ndryshme të botës me synimin avancimin e marrëdhënieve bilaterale. Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia dhe bashkëpunimi ekonomik.
Kurti po synon një mandat të tretë në krye të vendit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve në Kosovë, synon të punojë ngushtë me qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”. Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë shprehu shpresën se “partneriteti ynë do të thellohet me Qeverinë e Kosovës”, duke përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998. Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë theksuar ndër vite se Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.
