Izraeli Njeh Zyrtarisht Somalilandin Si Shtet të Pavarur
Izraeli është bërë vendi i parë që e ka njohur zyrtarisht Republikën e vetëshpallur të Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran. Ky vendim pritet të ndryshojë dinamikat rajonale dhe të vë në provë pozitën e Somalisë, e cila historikisht ka kundërshtuar çdo tentativë për ndarje.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka theksuar se Izraeli do të kërkojë bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në fushat e bujqësisë, shëndetësisë, teknologjisë dhe ekonomisë. Ai ka përgëzuar presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, duke vlerësuar udhëheqjen e tij dhe duke e ftuar atë për një vizitë në Izrael.
Netanyahu ka deklaruar se ky njohje “është në frymën e Akordeve të Abrahamit”, të cilat u ndërmjetësuan nga administrata e parë e Trumpit. Akordet e vitit 2020 formalizuan marrëdhëniet diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, ndërsa më pas iu bashkuan edhe vende të tjera.
Në një deklaratë të përbashkët, Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit kanë nënshkruar një marrëveshje për njohje të ndërsjellë. Presidenti Abdullahi ka bërë të ditur se Somalilandi do t’i bashkohet Akordeve të Abrahamit, duke e cilësuar këtë si një hap drejt paqes rajonale dhe globale. Ai ka theksuar përkushtimin e Somalilandit për ndërtimin e partneriteteve, rritjen e prosperitetit të ndërsjellë dhe promovimin e stabilitetit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën.
Nga ana tjetër, Egjipti ka shprehur shqetësim. Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty ka zhvilluar bisedime telefonike me homologët e tij nga Somalia, Turqia dhe Xhibuti për të diskutuar “zhvillimet e rrezikshme” në Bririn e Afrikës. Ministrat e këtyre vendeve kanë dënuar njohjen e Somalilandit nga Izraeli, duke riafirmuar mbështetjen e tyre të plotë për unitetin dhe integritetin territorial të Somalisë. Ata kanë paralajmëruar se njohja e rajoneve separatiste përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Somalilandi gëzon autonomi, si dhe paqe dhe stabilitet relativ që nga viti 1991, kur Somalia u përfshi në luftë civile. Megjithatë, rajoni i shkëputur nuk ka arritur të marrë asnjë njohje ndërkombëtare. Gjatë viteve, Somalia ka bashkëpunuar me aktorë ndërkombëtarë kundër njohjes së Somalilandit. Ish-protektorati britanik shpreson se njohja nga Izraeli do t’i inkurajojë edhe shtetet e tjera të ndjekin të njëjtin shembull, duke forcuar kështu peshën e tij diplomatike dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare.
