Berisha në Korçë: Triumf ndaj projektit “Shqipëria pa opozitë”

Berisha nga Korça: Kishin projektin “Shqipëria pa opozitë”, por ne triumfuam

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot takimin e radhës të “Foltores” së tij në qytetin e Korçës, ngjarje e cila përkoi edhe me 35-vjetorin e themelimit të degës së partisë aty.

Kreu i selisë blu ishte i shoqëruar nga drejtues lokalë të partisë, mbështetës dhe përfaqësues të strukturave, si dhe kreu politik për qarkun, deputeti Ivi Kaso, dhe deputetë të tjerë demokratë.

Ky takim u zhvillua në të njëjtën kohë me bashkëbisedimin që ish-deputeti Ervin Salianji organizoi në Shkodër me demokratët, si pjesë e lëvizjes për riformimin e selisë blu pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.

Kryetari i degës lokale të PD-së bëri thirrje për dorëheqjen e qeverisë socialiste dhe apeloi për qëndresë deri në fund.

Ndërkohë, kreu politik i qarkut, Kaso, akuzoi mazhorancën për skandale korrupsioni dhe bëri thirrje për rrëzimin e pushtetit, të cilin e cilësoi si të kthyer në regjim, si dhe për bashkimin e opozitës.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, pasi uroi 35-vjetorin e degës së partisë në Korçë, theksoi se edhe pas kaq vitesh, ata janë ende në këmbë.

“Gëzuar festat nga zemra, kudo që jeni, më të mirat për Korçën dhe Shqipërinë. Nderojmë në radhë të parë ata korçarë atdhetarë që u ngritën për herë të parë kundër regjimit 35 vite më parë dhe ngritën degën e parë të partisë këtu, për dinjitetin e Korçës dhe Shqipërisë”, tha ai.

Më tej, ai shtoi qëllimet e Ramës dhe mazhorancës për të copëtuar opozitën:

“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi gjallë, në këmbë, të fortë dhe të sigurtë në fitore. Jemi një forcë ndaj së cilës në mënyrë të padrejtë u morën akte brutale, të turpshme, në projektin Shqipëria pa opozitë, projekt për copëtimin e saj, me qëllimin Shqipëria pa opozitë. Për izolimin më të thellë të forcës më properëndimore në historinë e kombit, megjithatë ne triumfuam. Ne u ringritëm me kauzat tona, nga izolimi, si feniksi nga hiri u ringritëm”.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj Ramës, duke pretenduar se ky i fundit ka marrë të gjitha pushtetet.

“Donin të na shkatërronin, kauzat tona u sanksionuan me 7 rezoluta. Rama donte të na zhdukte, si diktaturë, që ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij”, u shpreh kreu i selisë blu.

Scroll to Top