Zelensky mbërrin në Kanada, takohet me kryeministrin Carney para bisedimeve me Trump
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Kanada për bisedime, në rrugën drejt një takimi me Presidentin amerikan, Donald Trump. Ky vizitë vjen disa orë pasi Rusia bombardoi Kyiv-in me dronë dhe raketa, duke shënuar sulmin e fundit mbi kryeqytetin ukrainas.
Rusia gjithashtu pretendoi të kishte arritur fitore të reja në terren, duke marrë nën kontroll dy qytete në lindje të Ukrainës, Myrnograd dhe Guliaipole.
Zelensky deklaroi se sulmet ruse tregojnë se Moska nuk ka ndërmend të ndalojë pushtimin, i cili ka nisur në shkurt 2022 dhe ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.
Para takimit të planifikuar me Trump në Florida të dielën, Zelensky u takua në Halifax me kryeministrin kanadez, Mark Carney. Kryeministri kanadez u shpreh se sulmi i fundit rus thekson rëndësinë e qëndrimit pranë Ukrainës.
“Kemi kushtet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, por kjo kërkon një Rusi të gatshme, dhe barbaria që pamë gjatë natës tregon sa e rëndësishme është që të mbështesim Ukrainën,” tha Carney.
Sulmet e natës mbi Kyiv-in shkaktuan dy të vdekur dhe dëme në qindra ndërtesa dhe institucione. Gjithashtu, mbi një milion banorë mbetën pa energji elektrike gjatë temperaturave të ulëta.
Kryetari i qytetit, Vitaliy Klitschko, raportoi se u goditën rreth 2,600 ndërtesa rezidenciale dhe mbi 300 shkolla dhe institucione sociale.
Zelensky shtoi se rreth 500 dronë dhe 40 raketa goditën kryeqytetin dhe rrethinën e tij. Rusia tha se përdori raketa hipersonike dhe dronë për të goditur infrastrukturën dhe objektivat ushtarake të Ukrainës.
