Një kioskë dhe dy automjete përfshihen nga flakët në aksin Librazhd–Përrenjas
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një njësi shërbimi në fshatin Xhyrë, pranë aksit nacional Librazhd–Përrenjas. Sipas njoftimit të MZSH Librazhd, shërbimet zjarrfikëse u njoftuan rreth orës 03:29 dhe ndërhynë menjëherë në vendngjarje.
Në operacion morën pjesë dy automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit. Si pasojë, u dogj plotësisht një kioskë në pronësi të shtetasit Skënder Gega nga fshati Xhyrë, i Njësisë Administrative Hotolisht të bashkisë Librazhd, si dhe dy automjete të parkuara pranë saj. Ndërkohë, u shpëtuan nga flakët dy kioska të tjera në afërsi dhe një automjet tjetër i parkuar pranë vatrës së zjarrit.
Burime nga MZSH bëjnë me dije se shkaku i zjarrit mbetet për t’u përcaktuar, por ka dyshime të forta edhe për zjarrvënie të qëllimshme. Mes automjeteve të djegura është edhe një automjet me targa greke, në pronësi të një emigranti të kthyer në vendlindje për festat e fundvitit.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje ishte e pranishme edhe Policia e Shtetit, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
