Sulme me dronë: Kiev dhe Moskë në zjarr

Lufta me dronë mes Ukrainës dhe Rusisë/ Goditen objektiva në Kiev dhe Moskë

Një valë e re sulmesh ajrore ka përshkallëzuar përplasjet mes Ukrainës dhe Rusisë, me goditje të fuqishme nga të dyja palët.

Në Kiev, një treg u përfshi nga flakët pas një sulmi rus. Disa persona humbën jetën dhe të tjerë u plagosën në qytete të ndryshme të Ukrainës. Sipas raportimeve, zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme në treg, ndërsa një tregtare ukrainase i tha BBC-së se humbi mallra me vlerë rreth 500 mijë hryvnia.

Në të njëjtën kohë, Rusia u përball me një prej sulmeve më masive me dronë të kryera nga Ukraina në rajonin e Moskës. Autoritetet ruse thanë se qindra dronë u drejtuan drejt kryeqytetit dhe zonave përreth, ndërsa mbrojtja ajrore pretendoi se kishte rrëzuar një numër të madh prej tyre.

Një nga objektivat kryesore ishte një qendër gjigante logjistike e kompanisë së shitjeve online Wildberries, në zonën e Podolskut. Depoja u përfshi nga një zjarr i madh pas goditjes me dron. Sipas autoriteteve ruse, një person humbi jetën në Podolsk, ndërsa pati edhe persona të plagosur.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës deklaroi se sulmet e fundit kanë nxjerrë jashtë funksionit shtatë nga dhjetë qendrat më të mëdha logjistike të Wildberries në Rusi. Kompania, e konsideruar shpesh si “Amazon-i i Rusisë”, është bërë objektiv i përsëritur i sulmeve ukrainase, të cilat Kievi i lidh edhe me logjistikën që mbështet përpjekjet luftarake ruse.

Nga ana tjetër, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë shkaktuar viktima dhe dëme në disa qytete. Në Krivij Rih, Sumy dhe Kiev janë raportuar të vrarë dhe të plagosur, ndërsa objektiva industriale dhe infrastrukturore janë dëmtuar.

Përshkallëzimi i sulmeve ajrore tregon se lufta me dronë po shtrihet gjithnjë e më thellë në territorin e të dy vendeve, ndërsa objektivat logjistike dhe ekonomike po bëhen pjesë e rëndësishme e strategjisë së Kievit.

Scroll to Top