“`html
Ngecin depozitat nëntorin, rriten lehtë në lekë, bien në valutë
Muaji nëntor ka sjellë një ngadalësim të kursimeve në banka. Ky trend është ndikuar kryesisht nga ecuria më e dobët e depozitimeve në valutë, ndërsa edhe ato në lekë kanë shënuar rritje më të ulët krahasuar me muajt e mëparshëm.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit nëntor arriti në 690 miliardë lekë. Ky shifër përfaqëson një rritje prej 0.4%, ose rreth 2.8 miliardë lekë më shumë se muaji i kaluar. Duhet theksuar se një muaj më parë, kursimet u shtuan me 6.6 miliardë lekë.
Rritja e depozitave në lekë gjatë muajit nëntor i atribuohet thuajse tërësisht individëve, të cilët kanë shtuar depozitimet e tyre, si ato pa afat ashtu edhe ato me afat. Kjo rritje ka ndodhur pavarësisht uljes së normave të interesit, pas lehtësimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në 2.5%, nga 3.25% që ishte deri në maj 2024.
Megjithatë, ngadalësimi i këtij rritmi mund të jetë një sinjal se ulja e normave të interesit ka filluar të ketë efekt te preferencat e depozituesve.
Krahasuar me një vit më parë (nëntor 2025 kundrejt nëntor 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 14%, duke u shtuar me rreth 85 miliardë lekë.
Ndryshe nga depozitat në lekë, kursimet në valutë kanë pësuar një rënie të lehtë në muajin nëntor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët (euro) në fund të muajit nëntor ishte 8.62 miliardë euro. Kjo shifër tregon një rënie prej 44 milionë euro, ose 0.5% më pak në raport me muajin paraardhës. Për krahasim, një muaj më parë depozitat në euro ishin shtuar me 36 milionë euro.
Kjo rënie është ndikuar më shumë nga korporatat private dhe publike, por edhe individët kanë shënuar një tkurrje të depozitave të tyre në valutë.
Megjithatë, duke e parë me bazë vjetore (nëntor 2025 kundrejt nëntor 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 7.8%, ose 615 milionë euro më shumë.
Banka e Shqipërisë raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të nëntorit, stoku total i depozitave ishte 1.45 trilionë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 116 miliardë lekësh, ose 8.7% më shumë.
Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e vlerës së saj kishte në tkurrjen e kursimeve në valutë, kur këto të fundit raportohen në euro. Të matura sipas monedhave përkatëse, në harkun kohor të një viti, depozitat në lekë janë rritur me 85 miliardë lekë (rreth 850 milionë euro), ndërsa ato në euro janë shtuar me 615 milionë euro. Kështu, në total, sistemi bankar ka përfituar rreth 1.47 miliardë euro shtesë brenda një viti.
“`
