Kryeministri Rama: Në vitin 2026, bizneset në turizëm dhe transport duhet të mundësojnë pagesa me kartë.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të organizuar në kuadër të strategjisë së qeverisë për uljen e përdorimit të parave të kesh në ekonomi, deklaroi se deri në qershor të vitit 2026, bizneset në sektorët e turizmit dhe transportit duhet të ofrojnë format alternative të pagesave.
“Kemi hapur një kapitull të ri lidhur me nevojën për të ulur përdorimin e kesh-it në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim. Ajo që dua të theksoj është se deri në qershor çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit do të duhet të garantojë format alternative të pagesave për qytetarët, jo vetëm kesh dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike”, tha kryeministri.
Sipas kryeministrit, brenda vitit të ardhshëm, çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës, në mënyrë që vendasit apo vizitorët të mund të paguajnë me kartë ose me forma të tjera të pagesave elektronike.
Lidhur me pagat e administratës, kryeministri vuri theksin te mjekët dhe infermierët.
“Parashikohet rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve, sikurse edhe rritje e shpërblimit të tyre në varësi të punës. Në përgjithësi, parashikohet që paga për ta, sipas kategorive, të rritet me 135 euro në muaj. Po kështu, do të njihet vjetërsia e punës dhe do të vlerësohet ajo. Gjithashtu, do të përmirësohet shërbimi i trajtimit mjekësor dhe medikamenteve, pasi kanceri është bërë agresiv dhe po vret më shumë. Kemi alokuar 15 milionë euro shtesë për këtë kategori te reparti i Onkologjikut dhe po punohet më tej për të rritur kapacitetet e shërbimit. Po kështu edhe për projekte të tjera, siç janë transplantet e gjirit për pacientet gra”, tha kryeministri.
Ai shtoi se po punohet në drejtim të digjitalizimit dhe transformimit të shërbimit shëndetësor, duke synuar autonominë e menaxhimit.
Sipas tij, në Spitalin Memorial ka nisur për herë të parë autonomia financiare, po kështu në 12 spitale po zbatohet autonomia menaxheriale dhe po vijon puna për 4 spitale të tjera. Aktualisht, po ndërtohet godina e re e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, spitalet në Lezhë dhe për fëmijë në QSUT, spitali i Peqinit, shtëpia e të moshuarve në Libohovë, ndërsa janë në proces edhe projekte të tjera.
