Rama kritikon ashpër sistemin e drejtësisë: Shqipëria, vendi më skandaloz në Këshillin e Europës!
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dalë hapur kundër sistemit të drejtësisë, duke u fokusuar sërish te çështja e paraburgimit në Shqipëri, e cila sipas tij ka alarmuar edhe Këshillin e Europës.
Ai theksoi se një e treta e personave në burg janë të paraburgosur, pra të pa dënuar.
“Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve. Jemi vetëm para Rusisë, por Rusia u përjashtua nga Këshilli. Kemi 1985 të dënuar dhe 4442 të burgosur. Në Shqipëri, falë edhe jush, nuk ka të pafajshëm, por ka të dënuar që nga momenti që dyshohen. Ky vend e ka kaluar këtë traumë më parë. Kjo shifër tregon që në Shqipëri probabiliteti që të shkosh në burg si i dyshuar është më i lartë se sa të jesh fajtor. Ky është fakti më rrëqethës.”
Rama shtoi se Këshilli i Europës ka nxjerrë një dokument për paraburgimin, i cili është një alarm për këdo që beson te dinjiteti i njeriut. Ai nënvizoi parimin se “më mirë 100 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda”.
“Nuk duhet të futen njerëz në burg dhe pastaj të shihet nëse janë fajtorë. Mbrojtjet për rrezikun e prishjes së provave apo arratisjes duhet të jenë të argumentuara, jo të jenë automatike,” tha ai.
Duke folur për veprat penale, Kryeministri theksoi se jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga Prokuroria ka bërë korrupsion. Ai përmendi si shembull “shpërdorimin e detyrës”, duke e cilësuar si një nocion të gjerë ku mund të futen lehtësisht njerëz.
Rama: Kur mesazhet u bënë prova?
Kryeministri përmendi rastin e Kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrëzit, i cili u burgos për prerje pemësh, duke e cilësuar si një turp, pavarësisht se nuk është krim.
Ai vuri në pikëpyetje përdorimin e mesazheve si provë dhe si ushqim për mediat. “Parafytyroni çfarë ndodh dhe çfarë përgjegjësie ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqe kur dikush të dalë i pafajshëm. Jetës dhe familjes së tij i është shkatërruar totalisht. Kush ia kthen mbrapsht jetën?! Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij!”
Rama theksoi se nuk fajëson mediat, por ata që i ushqejnë me “helm”. Ai shtoi se numri i rasteve për 12 vite veprimi është i arsyeshëm për të goditur fenomenet, ndërkohë që numri i të dënuarve është i ulët krahasuar me rastet, proceset janë të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar probleme të rënda.
