Qeveria “bllokon” shpenzimet, buxheti hyn në dhjetor me tepricë 500 milionë euro
Në fund të muajit nëntor të vitit 2025, bilanci buxhetor, pra diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve, shënoi një suficit prej 49,1 miliardë lekësh, ose rreth 500 milionë euro. Këto të dhëna janë publikuar nga Ministria e Financave.
Ky suficit rezultoi më i lartë se sa parashikohej në buxhetin fillestar, i cili kishte planifikuar një deficit prej -23,1 miliardë lekësh, apo -230 milionë euro. Në vend që suficiti të reduktohej sipas ligjit të buxhetit, ai u zgjerua më tej në nëntor, duke shkaktuar devijim nga plani dhe duke u bërë shkak për keqmenaxhim financiar.
Ministria e Financave parashikon të shpenzojë në muajin dhjetor gjithë tepricën buxhetore prej 49 miliardë lekësh të krijuar gjatë 11 muajve të parë të vitit, plus edhe 61 miliardë lekë të tjera nga deficiti buxhetor i programuar për tu shpenzuar në dhjetor. Në total, shuma e planifikuar për shpenzime në dhjetor arrin rreth 1,2 miliardë euro.
Përqendrimi i shpenzimeve buxhetore në muajin dhjetor është një tregues i keqmenaxhimit të ciklit buxhetor, një vërejtje e bërë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në auditimet e posaçme.
Në vend që shpenzimet të ndjekin një ritëm të qëndrueshëm gjatë vitit, buxheti krijon një “efekt kaskadë” që kulmon në fund të vitit me një nxitim shpenzimesh, të cilat nuk lidhen domosdoshmërisht me nevojat reale të ekonomisë në atë moment.
Të dhënat mujore nga Ministria e Financave tregojnë se suficiti buxhetor është përmirësuar vazhdimisht gjatë vitit. Viti 2025 nisi me një suficit prej rreth 18 miliardë lekësh në janar, i cili u rrit gradualisht muaj pas muaji. Në tremujorin e parë, suficiti pothuajse u dyfishua, duke arritur mbi 33 miliardë lekë në mars. Gjatë verës, suficiti ruajti nivele të larta, mbi 30-40 miliardë lekë, duke reflektuar rritje të të ardhurave dhe dobësi në procesin e shpenzimeve.
Në terma kumulativë, deficiti pritet të jetë -68 miliardë lekë në fund të dhjetorit, krahasuar me +49 miliardë lekë në nëntor.
Në fund të vitit, pagesat buxhetore përshpejtohen. Këto përfshijnë investimet publike, likuidimin e detyrimeve, subvencionet dhe shpenzimet e mbartura nga muajt e mëparshëm. Gjithashtu, dhjetori është zakonisht muaji kur bëhen rregullimet përfundimtare të buxhetit dhe mbyllen angazhimet financiare.
Nga këndvështrimi fiskal, ky zhvillim krijon presion mbi financat publike në fund të vitit dhe tregon mungesë serioziteti në muajt e tjerë. Ekspertët dhe KLSH e konsiderojnë këtë një praktikë jo të shëndetshme.
Në shumicën e vendeve me administrim fiskal të konsoliduar, shpenzimet janë të shpërndara relativisht njëtrajtshëm. Përqendrimi i shpenzimeve në dhjetor lidhet kryesisht me vonesa kronike në planifikim dhe prokurime, veçanërisht për investimet publike. Projektet që duhej të fillonin në pranverë ose verë shtyhen për arsye administrative, burokratike ose politike. Kur viti fiskal afrohet drejt mbylljes, institucionet përballen me presionin për të mos humbur fondet e alokuara, duke bërë pagesa thjesht sepse afati po mbaron.
Pasoja kryesore e kësaj praktike është ulja e cilësisë së shpenzimeve publike. Kontratat lidhen me nxitim dhe mbikëqyrja dobësohet. Në këtë ambient, rreziku për vendime jo-optimale dhe për keqpërdorim të fondeve rritet ndjeshëm.
Nga ana makroekonomike, një injektim kaq i madh fondesh në fund të vitit rrit presionet inflacioniste lokale, veçanërisht në sektorë si ndërtimi dhe shërbimet, ku kapacitetet janë të kufizuara. Bizneset nuk arrijnë të planifikojnë normalisht, ndërsa ekonomia përfiton impulse të forta që nuk përkthehen në rritje të qëndrueshme.
