Qeveria miraton bonusin prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë
Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për të dhënë një bonus prej 15 mijë lekësh të reja, me rastin e festave të fundvitit. Ky bonus do t’u shpërndahet familjeve dhe individëve që trajtohen me ndihmë ekonomike, personave me aftësi të kufizuara, të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, si dhe ndihmësve personalë të përfituesve të pagesave për aftësi të kufizuar.
VENDIM PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE TË DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA, PËR VITIN 2025
Në mbështetje të neneve 100 të Kushtetutës, 5 të ligjit nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
- Përfitojnë mbështetje financiare për vitin 2025, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, kategoritë e mëposhtme:
- Familjet dhe individët, që trajtohen me ndihmë ekonomike sipas nenit 7, të ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfshirë edhe ata që përfitojnë nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike;
- Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare;
- Personat me aftësi të kufizuara, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 8, të ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
- Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr. 8626, datë 22.06.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
- Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr. 8098, datë 28.03.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar;
- Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar, sipas shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, të kësaj pike.
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 2 227 500 000 (dy miliardë e dyqind e njëzet e shtatë milionë e pesëqind mijë) lekë dhe përballohen nga buxheti i akorduar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për vitin 2025.
- Mbështetjet financiare të patërhequra parashkruhen pas datës 30.06.2026.
- Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
