Gjykata Liron 50 Milionë Euro Pasuri të Lidhura me Miq të Veliajt

Gjykata liron 50 milionë euro pasuri të lidhura me miq të Erjon Veliajt

Gjykata e Tiranës ka vendosur të mos sekuestrojë rreth 20 pasuri me vlerë rreth 50 milionë euro. Këto pasuri rezultojnë në pronësi të personave për të cilët policia dhe prokuroria e kryeqytetit kanë pasur indicie të forta se rrjedhin nga aktivitete kriminale.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, Elman Abule, i cili aktualisht konsiderohet një biznesmen i suksesshëm në Tiranë dhe një mik i afërt i Erjon Veliajt, në vitet 2004-2005 rezulton të ketë qenë aktiv në Belgjikë si një hajdut i dhunshëm. Ai dyshohet të ketë përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes së dyerve.

Drejtoria e Interpolit, më 12 shtator 2023, është njoftuar se Elman Abule është dënuar më 17 janar 2007 nga Gjykata e Antverpit me 30 muaj burg. Dënimi fillestar ishte për veprën penale të “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u aplikuar 2 vite burg me kusht dhe 1 vit burg për “krijim bande”.

Gjithashtu, rezulton se Kristian Boçi, një mik i Abules dhe ish-ortak në subjektet “Rametal” dhe “Ferro Chrome Holding”, ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe është arrestuar në vitin 2011 në Itali. Ai njihet për lidhjet e tij me persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, si Eldi Dizdari.

Gazetari Qyno mëson se vendimi për mospranimin e kërkesës së prokurorisë është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtari i Tiranës, Altin Abdiu. Zoti Abdiu, i cili u rikthye në detyrë në fillim të qershorit 2025 pas vendimit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, refuzoi të sekuestrojë 20 shoqëri tregtare, dyqane, apartamente dhe vila me vlerë rreth 50 milionë euro. Këto pasuri zotërohen nga Kristian Boçi, Elman Abule (mik i afërt i Erjon Veliajt), Vladimir Avrami, si dhe 4 persona të tjerë të lidhur me ta.

Prokuroria e Tiranës pritet të ushtrojë Apelim në gjykatën e Apelit pas zbardhjes së vendimit, duke kërkuar sekuestrimin e këtyre pasurive.

Në muajin qershor 2024, e njëjta gjykatë, por me një gjyqtare tjetër, kishte vendosur pranimin e kërkesës dhe urdhëruar sekuestrimin e pasurive të personave të implikuar në veprimtari kriminale.

Në vendimin e parë, gjykata argumentonte se “në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare me qëllimin për të maskuar kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, duke i paraqitur ato si veprimtari të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të Kristian Boçi apo Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë pastrimi të produkteve të veprës penale.”

Megjithatë, një muaj më pas, në korrik 2024, ky vendim sekuestroje u prish nga Gjykata e Apelit në Tiranë, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në shkallë të parë me një trup tjetër gjykues. Arsyeja e prishjes së vendimit në Apel ishte një qëndrim i mbajtur nga prokurorja Arta Marku gjatë seancës gjyqësore, e cila deklaroi se “vendimi i gjykatës së Tiranës është i paarsyetuar dhe konfondohet midis Ligjit Antimafia dhe Kodit të Procedurës Penale.”

Pala paditëse (prokuroria) dhe personat e hetuar për pastrim parash, kontrabandë mallrash dhe evazion fiskal paraqitën rekurs në Gjykatën e Lartë, duke mbrojtur pretendimet e tyre. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Apelit, duke urdhëruar rishqyrtimin nga e para të kërkesës së prokurorisë së Tiranës për sekuestrimin e 20 pasurive.

Çështja u shortua dhe ra për shqyrtim pranë gjyqtarit Altin Abdiu, i cili pak ditë më parë vendosi të mos e pranojë kërkesën e prokurorisë dhe të lirojë të gjitha pronat. Pavarësisht këtij vendimi, pritet që prokuroria e Tiranës të bëjë Apelim.

Ky vendim nuk pengon hetimin penal, pasi prokuroria ndodhet tashmë në fazën e kryerjes së aktit të ekspertimit financiar, me qëllim nxjerrjen e një bilanci mbi justifikimin ligjor ose jo të pasurive të krijuara nga personat e proceduar.

Scroll to Top